Pasi Komisioni Evropian bëri një rekomandim në tetor të këtij viti për dhënien e statusit kandidat Bosnjë-Hercegovinës, ky status pritet të konfirmohet zyrtarisht këtë javë.
Siç raporton sot mediumi evropian, Euractiv, këtë javë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian duhet të nënshkruajnë një draft-dokument për procesin e zgjerimit, stabilizimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në të cilin rekomandohet që Bosnjë dhe Hercegovinës t’i jepet statusi i vendit kandidat me konfirmimin e Këshillit Evropian.
“Në kontekstin aktual gjeopolitik, Këshilli thekson urgjencën që vendi të ecë përpara në rrugën drejt BE-së,” shkruan Euractiv .
Gjithashtu theksohet se Bosnjë-Hercegovinës do t’i duhet ende të përmbushë kushtet që ishin vendosur më herët në rrugën e saj drejt BE-së.
“BE pret që organet legjislative dhe qeveritë funksionale të krijohen shpejt në nivel shtetëror, entiteti dhe kantonal në mënyrë që të fokusohen në reformat për rrugën drejt BE-së,” thuhet më tej në draft dokument.
Gjithashtu, theksohet se Republika Çeke, Austria, Sllovenia, Italia dhe Hungaria ishin veçanërisht pro për dhënien e statusit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën.
