Ethet e futbollit pushtuan Argjentinën pasi “gauçozët” arritën në finale të Kupës së Botës për të gjashtën herë në histori.
“Ahora nos volvimos a ilusionar” (Tani fillojmë të besojmë sërish), është mesazhi i shumicës së mediave dhe tifozëve argjentinas pas festës në gjysmëfinale ndaj Kroacisë.
Në pesë finalet e deritanishme, Argjentina ka fituar dy herë (1978, 1986), dhe është mposhtur tri herë në finale (1930, 1990, 2014). Mijëra argjentinas dolën në rrugë për të festuar arritjen në finale dhe u festua sikur Argjentina të kishte fituar tashmë titullin.
Gazeta argjentinase La Nacion shkruan se “gauçozët shkuan në finale me Messin magjik dhe fuqinë e Julian Alvarez”.
“Kapiteni iu dedikua skuadrës dhe shënoi një gol të bukur”, raporton La Nacion.
Gazeta Clarin shkruan se Argjentina tashmë është një hap larg përjetësisë.
“Euforia e futbollit ka pushtuar më në fund Argjentinën. Vendi është në këmbë”, raporton televizioni shtetëror argjentinas.
Edhe mediat botërore adhurojnë lojën e yllit 35-vjeçar nga Rosario.
Edhe pse pas ndeshjes tha se nuk ishte shfaqja e tij më e mirë, mediat botërore u mahnitën nga lëvizjet që ai tregoi në gjysmëfinale.
“Gjeniu Messi e ka çuar Argjentinën në finalen e Kupës së Botës”, shkruan britanikja The Guardian, ndërsa Daily Mail shkruante se “Messi luajti një tjetër ndeshje mahnitëse”.
BBC thotë se “një nga historitë më romantike të futbollit vazhdon të jetojë”.

“Një alien i quajtur Messi”, thekson AS, duke shtuar: “Kroacia, e cila arriti në gjysmëfinale me mbështetjen e mbrojtjes më të mirë të turneut, nuk arriti të deshifrojë lojën e Messit”, shkruan AS.
“Argjentina fitoi 3-0 ndaj Kroacisë së ndrojtur dhe të brishtë, e cila u përkul para superiorit Messi që kërceu në barin e Lusail”, është komenti i Marca-s, i cili citon golin e tretë argjentinas si një detaj të veçantë të ndeshjes.
“Ekipi e do atë, ai i kthen ato me lëvizje që krijojnë histori. Argjentina e meritonte të ishte në finalen e Kupës së Botës”, shkruan Folha nga Sao Paulo, ndërsa O Globo, po ashtu nga Brazili, theksoi: “Argjentina bëri atë që Brazili nuk mundi, e neutralizoi Kroacinë”.
“Ëndrra e tij po merr formë,” shkroi francezja L’Équipe.
