Kryetari i tifo-grupit, “Dardanët”, Lulzim Berisha ka kërcënuar me protesta para Ministrisë së Sportit për shkak se Federata e Futbollit e Kosovës akoma nuk është licencuar sipas udhëzimit të ri administrativ, teksa ka akuzuar për shantazh disa zyrtarë qeveritarë brenda këtij dikasteri.
FFK-ja, si njëra prej federatave më të mëdha në vend nuk është licencuar akoma, ndërsa sipas një vendimi të ri të shpallur dje nga Komisioni Vlerësues, klubet nga federata e palicencuara nuk mund të përfitojnë nga ligji për sponsorizim.
Me gjuhë të ashpër ka reaguar mbrëmë edhe i pari i federatës, Agim Ademi, teksa sot me protesta ka kërcënuar Lulzim Berisha, kryetar i tifo-grupit, “Dardanët”.
Përmes një postimi në Facebook, Berisha ka akuzuar për shantazh disa zyrtarë qeveritarë në MKRS, kurse ka shtuar se do të protestojnë në rast se FFK-ja nuk licensohet.
“Futbolli nuk ka fillu me ata qe po mundohen me u tregu si te fortit qe munden me ndalu proceset. Po flas si ish sportist qe kam kalu ne krejt fazat prej futbollit ne okupim e deri sot. Disa zyrtare qe punojne me direktiva te atyre qe bejne çmos veç me pengu avancimin e futbollit nuk kane gjase qe me shantazhu ne emer te ni procesi qe quhet licencim i federatave. Qysh paralajmerun edhe klubet e njejta gje vlen edhe per krejt sportistet. Keni me u ballafaqu me protesta ku nuk do te zgjedhim mjete”, thuhet në postimin e Berishës.
Berisha kishte kërcënuar me protesta edhe disa muaj më parë, kur veç se kishte filluar zbatimin udhëzimi i ri administrativ në MKRS.
Në bazë të udhëzimit të ri administrativ asnjë federatë nuk do të mund të licensohet në rast se “në organet drejtuese të tyre përgjegjësitë i ushtrojnë personat e dënuar me vendim të formës së prerë në ndonjë nga veprat penale”.
