Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi është kthyer në një protagonist të vërtetë te skuadra e Mallorcas. Me performancat e tij në La Liga dhe në Kupën e Mbretit, Muriqi ka zgjuar interesimin e shumë skuadrave, përfshirë këtu edhe njërën prej skuadrave kryesore në Spanjë, Atletico Madrid.
Muriqi arriti ta kalonte tutje Mallorcan në fazën e radhës në Kupën e Mbretit pasi shënoi një gol dhe dhuroi një asistim të goli tjetër i ishullorëve.
Sipas mediave spanjolle, shumë shpejt ai mund të bëjë hapin e madh në La Liga, me Atleticon që është shfaqur në horizont për shërbimet e tij.
Siç bën me dije “Mundo Deportivo”, që nga nisja e sezonit, Atletico po e ndjek nga afër Muriqin dhe është gati që në verë të dalë me një ofertë prej 15 milionë eurosh për shërbimet e tij.
Nga ana e saj, Mallorka kërkon 20 milionë euro për 28-vjeçarin, autor i 13 golave në 18 ndeshje me skuadrën e drejtuar nga Havier Aguirre.
