Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në të gjitha takimet ne ndërmjetësit e Bashkimit Evropian, e ka potencuar përkushtimin e Kosovës në dialog.
Ai tha se sa më parë duhet të arrihet dakordimi final rreth propozimit të BE-së, i përkrahur nga Franca dhe Gjermania, raporton Paparaci.
“Pika e 10-të, e fundit e propozimit të BE-së për marrëveshje bazë i dedikohet zbatimit të marrëveshjeve të deritanishme në procesin e dialogut të Brukselit dhe në kuadër të këtij neni do të trajtohen të gjitha marrëveshjet e mëhershme, përfshirë ajo e 19 prillit 2013. Çfarëdo tentative që nene të caktuara e të nxirren e të promovohen si nene ekskluzive apo parakushte për ecje përpara janë jo-produktive.”, tha ai para deputetëve.
Shefi i qeverisë pati një kërkesë ndaj zyrës së kryediplomatit evropian, Josep Borrell lidhur me procesin e dialogut.
“Në të gjitha takimet me ndërmjetësit e BE-së, unë kam potencuar kushtimin tonë, që sa më shpejt të jetë i mundur të arrijmë dakordimin final rreth propozimit të BE-së, të prezantuar tek ne në shtator të 2022’s. E shohim si bazë të mirë, jemi të përkushtuar që i njëjti të finalizohet dhe nënshkruhet nga palët. Kërkojmë nga Zyra e Borrellit që sa më parë të ftojë në takime të rregullta e të shpeshta në mënyrë që të avancojmë drejt finalizimit”, tha ai.
Ndër të tjera, Kurti prezantoi gjashtë kushtet e Kosovës sa i përket çështjes së marrëveshjes finale Kosovë-Serbi dhe asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ky është qëndrimi im dhe qeverisë që drejtoj. Asociacioni i Komunave i dalë nga marrëveshje Thaçi-Daçic mund të konsiderohet me këto kushte nga Kosova: E para, Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës, e dyta, asociacioni nuk mund të jetë mono-etnik, duhet ta ndërrojë emrin, nuk mund të ketë barrë asnjë pushtet ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas kushtetutës dhe ligjit përvetëqeverisje lokale”.
“Të drejtat e pakicave kombëtare duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit mes dy shteteve. Katër, para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi të gjitha armëve ilegale. Pesë, Asociacioni është pjesë e finales finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia ta ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndër-shtetërore dhe gjashtë, presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së dhe të tjerat për mos-pranimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE”.
Gjashtë kushtet e plota të paraqitura nga Kurti:
1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.
2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik (apo ekzekutiv) dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit per vetëqeverisje lokale (kreu 5).
3. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe, në ndërlidhje me këtë të fundit, vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.
4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.
5. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.
6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë (dhe tek të tjera) shtetet anëtare të BE-së për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE (që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013).
