E akuzuara Marigonë Berisha ka thënë se veturën për të cilën pretendon prokuroria se është dhuratë, e ka blerë në mënyrë të rregullt nga shitësi Bashkim Mulolli dhe sipas saj, është absurde me thënë se është dhuratë.
“Vetura në fjalë është blerë nga shitësi Bashkim Mulolli dhe blerësja unë Marigona Berisha. Është pagu vetura shitësit, e për të cilin veturë unë ende vazhdojë të paguaj kredi edhe për 5 vite tjera, që është absurde të thuhet dhuratë”, deklaroi e akuzuara Berisha në mbrojtjen e saj.
Një deklarim të tillë, e akuzuara Berisha e ka dhënë në gjykimin për korrupsion ndaj Lavdim Krasniqit, ish-drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial i Kosovës (KPK), raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë rast, bashkë me Lavdim Krasniqin dhe Berishën po akuzohen edhe Ardian Krasniqi e Flora Doda.
Berisha, po ashtu ka thënë se për veturën në fjalë ka marrë kredi për ta blerë, dhe se e njëjta është blerë përmes kontratës tek noteri me procedura krejt të rregullta.
“Për të cilën veturë paraprakisht kom pagu edhe dënimet që i ka pas pronari i kaluar në këtë rast Bashkimi me shfrytëzuesit e tjerë të veturës dhe më pas i kam dorëzuar të gjitha në gjykatë si dëshmi se vetura në fjalë është blerë në mënyrë të rregullt”, ka thënë tutje e njëjta.
Tutje, ajo tha se pas kësaj veturën e ka regjistruar dhe përkthyer në emrin e saj pa asnjë problem.
“E kom vozitë për një periudhë po thuajse se dy vjet edhe s’kam pas asnjë telashe”, deklaroi Berisha.
Blerja e veturës në fjalë sipas të akuzuarës Berisha i është propozuar nëpërmjet Ardianit nga Bashkimi.
Pas blerjes së kësaj veture, ajo tha se asnjëherë më nuk është takuar me Mulollin dhe se nuk pasur problem me të si shitës.
Këto deklarime e njëjta i ka bërë duke i përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të saj, avokatit Fatlum Podvorica.
Pastaj, kur ishte radha e prokurorit Zejnullah Gashi që t’i parashtroj pyetje të akuzuarës Berisha, e njëjta deklaroi se tani e tutje e shfrytëzon të drejtën për tu mbrojtur në heshtje.
I akuzuari Ardian Kraniqi, në seancën e mbajtur më 5 tetor 2022, kishte filluar dhënien e mbrojtjes së tij, teksa sot në këtë seancë, pasi që prokurori Gashi do të vazhdonte me parashtrimin e pyetjeve ndaj tij, i njëjti ka thënë se tani e tutje do të mbrohet në heshtje.
Të drejtën ligjore për tu mbrojtur në heshtje, e ka shfrytëzuar edhe e akuzuara Doda, e cila tha se nuk qëndron pranë deklaratës së dhënë në prokurori sepse sipas saj, e njëjta është dhënë në presion të kushteve dhe situatës.
Këtu pati vërejtje prokurori Gashi, i cili tha se nuk u konstatua se në cilat kushte dhe situata është dhënë presion në momentin e dhënies së deklaratës.
Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues lidhur me propozimin e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës të dhënë në seancën e kaluar, mori aktvendim me të cilin e ka refuzuar këtë propozim, pasi që sipas tij, nuk janë përmbushur kriteret për hudhjen e aktakuzës, pasi sipas mbrojtjes, prokurori i rastit Zejnullah Gashi ka vepruar kundërligjshëm, pra pa mandat si prokuror i Krimeve të Rënda.
“Kodi i Procedurës Penale nuk përmban dispozita lidhur me kompetencën lëndore dhe territoriale të prokurorit të shtetit, sipas gjykatës kjo rregullohet me organizimin e brendshëm të Prokurorisë dhe është kompetencë e Këshillit Prokurorial të Kosovës për të vlerësuar ose përcaktuar kompetencat e një prokurori”, ka thënë gjykatësi Ajvazi.
Lidhur me këtë, prokurori Gashi ka thënë se prej muajit të 10-të 2022, është zvarritur procedura vetëm për shkak të kontestimit të mandatit të tij ligjor si prokuror.
“Është e pa precedent për gjykatat e Republikës së Kosovës të kontestohet mandati i prokurorit të shtetit, kjo është cenim i drejtpërdrejt i kredibilitetit të prokurorit të shtetit në rastin konkret, është jo korrekte që prej muajit 10 vitit 2022, të zvarritet procedura vetëm për shkak të kontestimit të mandatit ligjor të prokurorit të shtetit”, ka thënë prokurori Gashi.
Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 6 shkurt 2023, ku pritet të jepet fjala përfundimtare nga palët në procedurë.
Ndryshe, shqyrtimi fillestar në këtë rast është mbajtur më 6 tetor 2021, ku të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë më 25 nëntor 2021 kishte aprovuar pjesërisht kërkesat e mbrojtësve të akuzuarve Lavdim Krasniqi e Marigonë Berisha duke hudhur poshtë dy pika të aktakuzës ndaj Krasniqit me të cilat ngarkohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe Berishës për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” si dhe ka shpallur të papranueshme si provë një CD dhe transkriptimin e saj.
Kurse, ajo ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Lavdim Krasniqit për hudhje të aktakuzës lidhur me veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Mosraportim ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Tutje, ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj Ardian Krasniqit për veprat penale në vazhdimësi dhe bashkëkryerje “Ushtrim ndikimi”, veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Për Marigonë Berishën, ka mbetur në fuqi pika e akuzës ku ngarkohet për “Falsifikim të dokumenteve”. Ndërsa, për Flora Dodën, vepra penale për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Mirëpo, Gjykata e Apelit më 4 shkurt 2022 ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë, me ç’rast ka vendosur që Lavdim Krasniqi të gjykohet edhe për dy pikat e aktakuzës për korrupsion. Ndërsa, ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë që CD të shpallet si provë e papranueshme.
Gjithashtu, Apeli ka anuluar vendimin e shkallës së parë edhe sa i përket të akuzuarës Marigona Berisha për veprën penale “Blerja, posedimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” dhe çështjen e ka kthyer në rishqyrtim dhe rivendosje në shkallën e parë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Lavdim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial (KPK) dhe Ardian Krasniqi në cilësinë e shoferit të tij personal akuzohen se nga janari i vitit 2018 e deri në fund të vitit 2019, në bashkëkryerje, në vazhdimësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjetrin nga Bashkim Mulolli.
Siç thuhet në aktakuzë, përmes të akuzuarit Ardian Krasniqi disa herë të njëjtit kanë pranuar të holla, duke arritur shifrën prej 40 mijë euro, si dhe dhuratë, një veturë në vlerë prej 25 mijë euro, për asistenten e të akuzuarit Lavdim Krasniqi, të akuzuarën Marigonë Berisha.
E që këto përfitime sipas aktakuzës, janë pranuar nga të lartcekurit duke premtuar se do të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, në Kolegjin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, për uljen e dënimit, sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, për të dënuarin Bashkim Mulolli, si dhe të shtyhet ekzekutimi i dënimit për te njëjtin.
Me këto veprime, prokuroria i ngarkon ata se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.
Tutje, prokuroria i ngarkon Marigonë Berishën dhe Ardian Krasniqi se veç e veç kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.
Sipas aktit akuzues, e akuzuara Berisha më 16 dhjetor 2019 kishte falsifikuar dokumentin më të cilin ajo pretendonte se në zyrën e noterit Sefadin Blakaj i ka paguar Bashkim Mulollit shumën prej 8 mijë e 400 euro dhe dënimet kundërvajtëse në vlerë 600 euro, e që më pas është konstatuar se nënshkrimi i Mulollit në këtë dokument nuk është i tij.
Ndërsa, Ardian Krasniqi po akuzohet se më 19 gusht 2020 kishte falsifikuar testin e COVID-it me të dhënat e Bashkim Mulollit, se kinse ky i fundit kishte rezultuar pozitiv, me të cilin test do t’i mundësohej të njëjtit shtyrja e ekzekutimit të dënimit.
Aktakuza Lavdim dhe Ardian Krasniqin i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktin akuzues thuhet se dy të akuzuarit Krasniqi, për shkak të obligimeve që kishin ndaj Bashkim Mulollit kishin keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që kishin penguar arrestimin e Albi Mulollit i cili ishte i dyshuarit për kryerjen e vrasjes se rënde në tentative, duke ia mundësuar këtij të fundit arratisjen nga Kosova për në Shqipëri më veturën zyrtare të akuzuarit Lavdim Krasniqi.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Lavdim Krasniqi ngarkohet edhe për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje me Flora Dodën, pasi që në cilësinë e personave përgjegjës kishin shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik.
Prokuroria pretendon se në muajin shkurt të vitit 2021, të akuzuarit Krasniqi dhe Doda, kanë predikuar fituesin dhe kanë diskriminuar operatorët e tjerë ekonomik, duke favorizuar operatorët ekonomik (OE) “Graniti Shpk” dhe “Solos Studios“ si dhe përkundër vendimit të Sekretariatit të KPK-së, në fillim të vitit kalendarik, i cili në kuadër planifikimit të prokurimit kontrata e KPK-së ka qenë e lidhur me OE, “Mobeland Shpk”. Të njëjtit thuhet se kanë porositur dhe pranuar mobilie në vlerë prej 9 mijë e 480 euro, e që pas disa ditësh është lidhur kontrata dhe janë zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.
Gjithashtu, Lavdim Krasniqi akuzohet edhe për mosdeklarim të pasurisë, pasi që sipas prokurorisë, i akuzuari Krasniqi më 31 mars 2020 në deklaratën për deklarim të pasurisë nuk ka përfshirë shumën e të hollave prej 40 mijë euro, të cilat i ka pranuar nga Fitim Arifi për shitjen e banesës, si dhe të hollat në shumën prej 10 mijë euro, të cilat ia ka dhënë mikut të tij Alush Zariqi, në emër të blerjes së dy banesave.
Krejt në fund, prokuroria e ngarkon Marigonë Berishën edhe për veprën penale ”Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituar me kryerjen e veprës penale”, sepse më 16 dhjetor 2019 e ka pranuar një veturë në vlerë prej 25 mijë euro nga Bashkim Mulolli edhe pse ka qenë e vetëdijshme se kjo veturë ishte fituar më vepër penale të shkaktuar nga Lavdim dhe Ardian Krasniqi.
