Mimoza Kusari-Lila, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës e ka një barrë nga e kaluara në raport me Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të hënën, Kusari-Lila tha para mediave se Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë ka për qëllim luftimin e krimit.
E pyetur rreth paralajmërimit të PDK-së se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Byronë, Kusari Lila tha:
“Mendojmë që është një prej projektligjeve që janë marrë konsultime të gjithanshme, përfshirë edhe Komisionin e Venecias, përderisa të gjitha vlerësimet e komisionit janë përfshirë në ligj, mendoj që kjo çështja e dërgimit në Gjykatën Kushtetuese e ka vetëm komponentin e peshës apo barrës nga e kaluara të cilën PDK-ja po mundohet ta shlyejë në raport me këtë projektligj”.
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar të enjten në lexim të dytë Projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.
