Dje është arrestuar një 31-vjeçar, pasi dyshohet se ka arritur të përvetësojë 18 mijë euro përmes mashtrimit.
I dyshuari kishte kërkuar para kinse vëllai i tij është sëmurë dhe ka nevojë për shërim jashtë vendit. Ndaj B.K., Prokuroria në Gjilan do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit.
B.K. në tetor të vitit të kaluar kishte nisur të kërkojë para për vëllain e tij, që pretendonte se është i sëmurë. Mirëpo, ai deri dje nuk ra në prangat e Policisë. Por gjatë kohës sa ai kërkonte para për vëllain, kishte arritur të mbledhë 18 mijë euro.
Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka lëshuar njoftim zyrtar, ndërsa nga Prokuroria e Gjilanit kanë bërë të ditur se i njëjti është ndaluar për 48 orë.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ndaluar të pandehurin B.K., në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale ‘’Mashtrimi’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afatit ligjor ndaj të njëjtit do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan.”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Gjilanit për Paparaci.
Vepra penale për të cilën akuzohet personi në fjalë është e dënueshme sipas ligjit të Kosovës me gjobë dhe nga 3 deri në 5 vjet dënim me burg. /Paparaci
