Ministria e Drejtësisë, e ka arsyetuar gradimin e Besar Gashit, nga pozita më e ulët e gardianit në atë të zv.drejtorit në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit.
Gashi i cili brenda një viti është avancuar disa herë në pozita. E ky gradim i tij ka ndodhur gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.
Por, nga Ministria e Drejtësisë për Paparacin e kanë arsyetuar gradimin e Gashit kinse për ngritjen e nivelit të Sigurisë në Institucionet e Kosovës.
“Vendim për caktimin e z. Besar Gashit në pozitën zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm është vendim i përkohshëm me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në Institucionet Korrektuese”, kanë thënë nga Ministria e Drejtësisë për Paparacin.
Madje, sipas Ministrisë së Drejtësisë procedura e rekrutimit për pozitën e zëvendës drejtorit në Qendrën e Paraburgimit Prizren është zhvilluar në përputhje me dispozitat e Ligjit për zyrtarët publik.
“Procedura e rekrutimit për pozitën zëvendës drejtor në Qendrën e Paraburgimit Prizren është zhvilluar në përputhje me dispozitat e Ligjit për zyrtarët publik si dhe Rregulloren (QRK) nr. 16/2020 për pranimin dhe karrierën në shërbimin civil të Republikës së Kosovës”.
Por gradimet e tij kanë vazhduar. Besar Gashi është caktuar edhe zëvendësues i zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm për Siguri dhe Operativë në Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK).
Besar Gashi ka shërbyer si gardian përgjegjës në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 2016, në kohën kur në këtë qendër po mbahej në paraburgim Astrit Dehari, ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje që kishte ndërruar jetë në këtë qendër më 5 nëntor, 2016.
Besar Gashi, i cili dikur shërbente si gardian në Qendrën e Parabugrimit në Prizren, tash e disa muaj është avancuar në zëvendësdrejtor të Qendrës së Paraburgimit në Prizren. Nga pozita e oficerit korrektues, ai është graduar në u.d zëvendësdrejtor të burgut. Paparaci ka siguruar dokumentacionin e plotë të avancimit të tij në katër pozita menaxheriale brenda ShKK-së.
Mes viteve 2021-2022, Gashi ishte avancuar dhe kishte qëndruar për disa javë në krye të Njësisë së Inteligjencës së ShKK-së në një proces pa konkurs ku ai sërish ishte caktuar si udhëheqës.

Për t’u avancuar në gradat e përmendura, sipas ligjit, duhet të hapet konkurs i brendshëm dhe bëhet nga njësia e burimeve njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme pas aprovimit nga Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur i vdekur në qelinë e burgut në Prizren në nëntor të vitin 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit bashkë me disa aktivistë të tjerë.
Teksa Prokuroria atëkohë pati deklaruar se bëhej fjalë për vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar që rasti të zbardhet.
Shtatë vjet nga vdekja e tij, në dhjetor të vitit 2022 ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte njoftuar opinionin se mostrat e gjakut të Astrit Deharit ishin zhdukur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.
