Një 26-vjeçar i fshehur në ndarjen e pajisjes së uljes së një avioni të “American Airlines” i mbijetoi një fluturimi nga Guatemala në Miami. Fill pas zbritjes ai iu dorëzua zyrtarëve të emigracionit amerikan dhe u dërgua në një spital për kontroll.
Agjencia Amerikane e Doganave dhe e Mbrojtjes së Kufijve (CBP) konfirmoi incidentin në një deklaratë të cituar fillimisht nga stacioni televiziv WTVJ me bazë në Miami.
“Oficerët e doganave dhe mbrojtjes kufitare të SHBA-ve në aeroportin ndërkombëtar të Miami-t kapën një burrë 26-vjeçar, i cili u përpoq të shmangte zbulimin në ndarjen e pajisjeve të uljes së një avioni që mbërriti nga Guatemala të shtunën në mëngjes”, thuhej në deklaratën e CBP-së, ku theksonte se ngjarja mbetet në hetim.
Televizioni publikoi videon e marrë të burrit në aeroportin ndërkombëtar të Miami-t, pak pasi avioni u ul të shtunën.
Guatemala ka llogaritur një pjesë të madhe të rreth 1.7 milionë emigrantëve të kapur ose dëbuar nga agjentët kufitarë të SHBA-ve gjatë vitit të kaluar, shumë prej tyre amerikano-qendrorë që ikin nga bandat e dhunshme dhe varfëria e rëndë.
Një avokat i imigracionit, Angel Leal, i tha WTVJ-së se udhëtari nga Guatemala u ndalua nga CBP-ja ndërsa përballej me një urdhër largimi të përshpejtuar.
Incidenti të kujtonte pamjet në gusht që tregonin afganët e dëshpëruar që përpiqeshin të kapeshin në pjesën e jashtme të një avioni mallrash ushtarak amerikan gjatë evakuimit kaotik nga Kabuli pasi forcat talebane morën kontrollin e Afganistanit.
Administrata Federale e Aviacionit nuk pranoi të komentojë mbi incidentin e së shtunës.
Sipas FAA-së, 129 njerëz janë përpjekur të strehohen në pjesën e rrotave ose zona të tjera të avionëve komercialë në mbarë botën që nga viti 1947. Nga ata, tha agjencia, 100 kanë vdekur nga lëndimet ose ekspozimi.
Në një incident të tillë në prill 2014-të, një djalë 16-vjeçar, i cili u largua nga shtëpia, mbijetoi pesë orë në pjesën e rrotës së një avioni ndërsa fluturonte nga Kalifornia në Hawaii.
