Arrestohen katër persona për grabitje në rajonin e Ferizajt, policia në kërkim të personit të pestë
Policia e Kosovës në Ferizaj, pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, nën masa të fshehta të vëzhgimit me autorizim të Prokurorisë dhe Gjykatës Themelore, kanë arritur që sot në orët e para të mëngjesit të arrestojnë katër persona për grabitje që kanë ndodhur në rajonin e Ferizajt .
“Sektori Rajonal i Hetimeve ka siguruar prova dhe dëshmi të mjaftueshme se këta persona duke vepruar si grup i përbashkët, dyshohet se kanë kryer grabitjet e armatosura në këto lokacione : me datën 11.01.2023 në fshatin Sojevë në pikën e karburantit ‘’Veda Petrol’’, me datën 16.01.2023 në fshatin Rakaj në pikën e karburantit ‘’Ballkan Petrol’’, me datën 24.01.2023 grabitjen e një automjeti Tauran në fshatin Mirosale, me datën 26.01.2023 grabitjen e armatosur në zyrat e KEDS në Shtime dhe me datën 25.02.2023 grabitjen e armatosur në hyrje të Shtimes tek pika e karburantit ‘’Ibrahimi Petrol’’”, thuhet në njoftim.
