Ministria e Shëndetësisë (MSH) u ka bërë thirrje prindërve që ta respektojnë kalendarin e rregullt të vaksinimit në Kosovë dhe t’i vaksinojnë fëmijët e tyre kundër fruthit.
Sipas MSH-së ndonëse raste të kësaj sëmundjeje së fundmi janë regjistruar në shumë shtete të botës, në Kosovë nuk ka asnjë rast të konfirmuar aktualisht.
“Me qëllim të informimit të popullatës dhe parandalimit të rasteve të Fruthit në vendin tonë, duke marrë parasysh që raste të kësaj sëmundje së fundi janë regjistruar në shtete të ndryshme të botës, por dhe në vendet e rajonit, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës, u bën thirrje prindërve që të respektojnë kalendarin e rregullt të vaksinimit në Kosovë dhe t’i vaksinojnë fëmijët e tyre kundër kësaj sëmundjeje”, thuhet në njoftim.
Sipas MSH-së, vaksinimi i rregullt bëhet çdo ditë në njësitë e vaksinimit në çdo komunë.
Fruthi është sëmundje virale shumë ngjitëse dhe e rëndë, që shkaktohet nga një virus i familjes Paramyxoviridae. Përhapet kryesisht përmes ajrit dhe spërklave dhe përmes kontaktit të drejtpërdrejtë. Virusi infekton traktin respirator dhe pastaj përhapet në organizëm.
Shenja e parë e fruthit zakonisht është temperatura e lartë trupore, që zakonisht fillon rreth 10 deri më 12 ditë pas ekspozimit ndaj virusit dhe zgjat nga 4 deri më 7 ditë. Shenja të tjera të sëmundjes janë rrjedhje nga hunda, kolla, sytë e skuqur e të përlotur dhe pika të vogla e të bardha në mukozën që e mbështjell zgavrën e gojës. Pas disa ditësh paraqiten puçrrat, kryesisht në fytyrë dhe në pjesën e qafës.
Vaksina ka efekt të lartë që shkon deri në mbi 95% mbrojtje për të vaksinuarit.
