Në ditët në vijim, institucionet e Bashkimit Evropian, me mbështetjen e liderëve të BE-së, do të ndërmarrin hapat e parë drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit së bashku me Kosovën dhe Serbinë, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano për agjencinë serbe të lajmeve Beta në Bruksel.
Zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Borrell ka bërë të qartë se Serbia dhe Kosova janë të obliguar kontraktualisht të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit dhe aneksin si dhe se nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë do të braktisin rrugën drejt Bashkimit Evropian, transmeton Paparaci.
Stano ka përkujtuar se Borrell ka deklaruar se do t’i “këshillojë” të dyja palët në kryerjen e punës së tyre në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë aneksin zbatues.
Zëdhënësi i KE-së ka theksuar se tashmë do të jetë në rrezik reputacioni dhe besimi ndërkombëtar në Serbinë dhe Kosovën, prandaj ato duhet të tregohen si partnerë të besueshëm për BE-në dhe për këtë është e nevojshme të zbatohet ajo që kanë premtuar.
Ai ka thënë se dispozitat e marrëveshjes dhe aneksit do të inkorporohen në kapitullin 35 të negociatave BE-Serbi për anëtarësim dhe në programin e Grupit Special të BE-së për normalizimin me Kosovën.
Kjo do të thotë, ka bërë të ditur ai, që të dyja palët do të jenë të detyruara kontraktualisht t’i zbatojnë këto dispozita nëse duan të përparojnë drejt BE-së dhe moszbatimi do të thotë braktisje e rrugës drejt Bashkimit Evropian.
Ai gjithashtu ka theksuar se përfaqësuesi i lartë i BE-së shumë qartë ka thënë se Marrëveshja e Ohrit është konkretizuar dhe duhet të zbatohet dhe se nuk ka hapësirë për zgjidhje çfarë duan e çfarë nuk duan./Paparaci
