KEK-u ka dhënë një kontratë për “këshilla ligjore” 16 ditë para arrestimit të Nagip Krasniqit, drejtorit të përkrahur nga pushteti qendror i Lëvizjes Vetëvendosje. Kontrata peshon 60 mijë euro. Kësisoj, Krasniqi që dyshohet për abuzim të detyrës zyrtare po e mbron veten pikërisht me para të ndërmarrjes publike. Për më tepër, avokatët që do ta këshillojnë Krasniqin nuk e kanë sefte, pasi një gjë të tillë e kanë bërë edhe në raste të tjera.
Paparaci.com
Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, është arrestuar të mërkurën nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Krasniqi siç duket e kishte “nuhatur” se atij si drejtor i KEK-ut do t’i dalin disa probleme me ligjin.
Prandaj më 3 prill, KEK-u kishte firmosur një kontratë në vlerë prej 60 mijë eurove. Sipas platformës së prokurimit publik ‘E-prokurimi’, kontrata është dhënë me procedurë të negociuar, raporton Paparaci.
Kompania që u zgjedh fituese në këtë tender është “Rexhep Zeqiri Zejna L.L.C”, me pronar Engëll Rexhepin. Selia e këtij biznesi që merret me aktivitete juridike është në Prishtinë.
Megjithatë, e njëjta kompani kishte dalë e treta kur procedura e tenderit ishte e hapur për “angazhimin e një kompanie konsulentë ligjore”. Por, tenderi ishte anuluar dhe më pas ajo ka dalë fituese pas negocimit direkt.
Rrjedhimisht, tenderët një-burimor kufizojnë konkurrencën dhe rrisin mundësinë për çmime më të larta e për cilësi më të vogël, shkruan Paparaci.

Bazuar në dosjen e tenderit, kompania e kontraktuar ka për detyrë – ndër të tjera – zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që mund të paraqiten, përpilimin e shkresave si dhe pjesëmarrjen në seancë në OSHP, në procese gjyqësore apo arbitrazh në rast te kontestit.
Kohëzgjatja e kontratës është për 12 muaj. Ajo ka filluar më 5 prill të këtij muaji dhe përfundon më 4 prill të 2024-s, transmeton Paparaci.
Nga KEK-u nuk kanë treguar arsyen se pse është vendosur që ta shpërblejnë këtë biznes – për të cilën siç mëson Paparaci, e kanë këshilluar edhe më parë Krasniqin – me tenderin dhjetëra mijëra eurosh përmes një kontrate të negociuar.
Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka hedhur kritika ndaj ish-pushteteve për dhënien e kontratave një burimore, për çka sot vazhdojnë të heshtin ndaj veprimeve që ndërmarrje publike e ministri të ndryshme veprojnë kësisoj.
Policia e Kosovës ka arrestuar të mërkurën kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Ai dyshohet se ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, Ushtrimi i ndikimit’’ si dhe veprën penale ‘’Konflikti i interesit’’.
Nagip Krasniqi u emërua kryeshef i KEK-ut gjatë muajit tetor në vitin 2021. Para se ta merrte këtë pozitë, ai e kishte udhëhequr Komitetin për Energjinë në Lëvizjen Vetëvendosje./Paparaci.com

