Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se mazhoranca qeverisëse po vazhdon të përdorë mjete të tjera për të sulmuar Prokurorinë e Shtetit.
Hoti ka deklaruar se sot i ka ardhur ftesa për pjesëmarrje në mbledhjen e radhës të Komisionit për Buxhet, në të cilën do të shqyrtohet “Raporti Vjetor Financiar i KPK-së”.
Sipas Hotit, shqyrtimi i raportit financiar të Këshillit Prokurorial në mbledhjen e radhës të komisionit nuk është rastësi.
“Deri sot, asnjë raport financiar për vitin 2022 i asnjë institucioni nuk është shqyrtuar në Komisionin për Buxhet (përjashto raportin për Kuvendin e Kosovës). Ky është raporti i parë i ndonjë institucioni që shqyrtohet në Komisionin për Buxhet prej se ka filluar viti 2023”, ka thënë ai.
“As Raporti vjetor i buxhetit për 2022 nuk është shqyrtuar në Komision, që është kryesori dhe, si rregull, pas tij shqyrtohen raportet e tjera”, ka thënë Hoti.
Hoti ka shkruar se vartësit e Kurtit po angazhohen për të nisur sulme të reja ndaj prokurorëve.
“Nuk është rastësi që menjëherë pas veprimeve të djeshme të prokurorisë, si dhe sulmit të sotëm të Kurtit ndaj prokurorisë, të angazhohen vartësit e tij për të vazhduar sulmet me mjete tjera”, ka deklaruar Hoti. “Merreni me mend deri ku shkon kjo mazhorancë në marrinë e saj për të ndikuar në drejtësi. Do të jetë e pamundur të ndikojnë, vetëm se Kosova do ta paguajë në raport me integrimet euro-atlantike dhe anëtarësimet në mekanizma ndërkombëtarë”.
