Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushka ka konfirmuar se ndeshja e pestë gjysmëfinale mes Prishtinës dhe Trepçës nuk do të zhvillohet të mërkurën.
Ndeshja e cila ishte paraparë të zhvillohet të enjten ishte shtyrë për të premten, teksa sot kishte raportime se ndeshja mes Prishtinës dhe Trepçës do të zhvillohet të mërkurën(nesër).
Dushku, në një prononcim për Paparacin ka mohuar lajmet se ndeshja e pestë gjysmëfinale do të zhvillohet të mërkurën, teksa ka konfirmuar se ka pasur kërkesë për zhvillimin e saj ditën e premte.
“Nesër? Jo, jo, jo, Prishtina ka kërkuar ta zhvendos lojën për të premten, por nesër nuk do të zhvillohet”, ka thënë Dushku për Paparacin.
Ajo ka deklaruar se oraret e ndeshjes përcaktohen nga Federata e Basketbollit e Kosovës dhe vetëm ata janë vendimmarrës për ndryshimin e tyre.
Përballja mes Prishtinës dhe Trepçës ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm te të dyja taboret. Rezultati është i barabartë, 2:2, me ndeshje dhe fituesi i së premtes do të kualifikohet në finale ku do të përballet me Pejën.
