Për përparim të mëtejshëm në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nevojitet vullnet politik dhe gatishmëri për kompromis, tha sot në Beograd, kryetari i parlamentit austriak, Wolfgang Sobotka.
Sobotka sot ka vizituar Beogradin, ku ka takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryetarin e Kuvendit atje, Vladimir Orliq dhe shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.
Sobotka, siç thuhet në njoftimin e Parlamentit austriak, përshëndeti faktin që Kosova dhe Serbia e pranuan propozimin e marrëveshjes për normalizim dhe që obligimet që dalin nga ajo u bënë pjesë e perspektivës evropiane. Marrëveshjet, thekson ai, duhet të zbatohen shpejt.
Ai vlerësoi se për shkak të pjesëmarrjes së ulët në zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, duhet të ndërmerren hapa për të nxitur minoritetin serb që të kthehet në institucione. Ai tha gjithashtu se Austria vazhdimisht e mbështet Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së.
Sobotka tha se Austria do të bëjë gjithçka për të mbajtur të rëndësishëm afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në nivel evropian.
Kryekuvendari austriak vizitoi Prishtinën të hënën dhe më pas Podgoricën të martën, për të përfunduar turneun e tij ballkanik me bisedime në Beograd.
