Ministri i Financave, Hekuran Murati ka akuzuar deputetët e opozitës për kundërshtimin në kuvend të një marrëveshje ndërkombëtare që i hap rrugë projektit të ngrohjes qendrore solare, që do të implimentohej nga Termokosi.
Në një reagim në Facebook të hënën, Murati tha se për ratifikimi i kësaj marrëveshje ndërkombëtare në kuvend nuk varet vetëm nga votat e pushtetit.
“Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për kalimin e të cilave nevojiten 80 vota në Kuvend, tash e disa muaj është bllokuar nga opozita. Njëri nga projektet që po pret dritën e gjelbër të Kuvendit, është edhe ai për Ngrohjen Qendrore Solare”, tha ai.
“Ky projekt mundësohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për ndërmarrjen publike Termokos, dhe ka për synim shtimin e kapaciteteve gjeneruese, por edhe kyçjen e lagjeve tjera të Prishtinës në rrjet të ngrohjes”, deklaroi ministri.
Në total projekti parashihet të jetë mbi 80 milionë euro, bëri të ditur ministri dhe tha se shumicën e financimit “si Qeveri e kemi siguruar të jetë grant nga BE dhe nga Qeveria Gjermane”.
“Kundërshtimi i këtij projekti nga opozita, është përtej çdo logjike”, deklaroi ai.
Ai i ka shprehur lutje publike deputetëve të opozitës që ta votojnë këtë marrëveshje ndërkombëtare. /Paparaci.com
