Gjykata Themelore në Prishtinë vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy serbëve R.P dhe D.O, pas tensioneve në veri.
Të dy serbët u arrestuan të hënën në protestat e dhunshme në Zveçan.
Ata dyshohen se kanë kryer veprat penale “bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “sulmi ndaj personit zyrtar”, “pjesëmarrja në turmë” si dhe veprën penale “huliganizmi”, transmeton Paparaci.
Gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve R.P dhe D.O dhe të njëjtëve ju ka
caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin.
“Gjyqtari i procedurës paraprake i ka analizuar të gjitha arsyet mbi shkaqet e caktimit të paraburgimit dhe ka gjetur se kërkesa e prokurorit të shtetit pẽr caktimin e paraburgimit është e bazuar, ngase ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit R.P dhe D.O kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe se janë plotësuar edhe kushtet e kërkuara me ligj për caktimin e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës.
“Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”.
Lajmi për arrestimin e dy të dyshuarve u bë i ditur në raportin 24-orësh të PK-së.
“RREZIKIM I PERSONAVE NËN MBROJTJE NDËRKOMBËTARE & PJESMARRJE NË TURMË QË KRYEJNË VEPËR PENALE DHE HULIGANIZËM/ Prishtinë 29.05.2023 – 18:30. Për shkak të dyshimit se kanë qenë të përfshirë në sulme ekstreme të dhunshme me mjete shpërthyese, ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve, dy meshkuj K-Serb me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës janë dërguar në mbajtje për 48 orë, përderisa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt. Lidhur me rastin janë duke u kryer hetime të mëtejme, nga njësitet relevante policore”, njoftoi Policia.
