Sot në seancën e Kuvendit të Kosovës është votuar për Zgjedhjet e Përgjithshme të Kosovës.
Për këtë ka reaguar edhe deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci.
Ai, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me votimin e këtij projektligji bashkëkombësit që jetojnë në diasporë do të jenë më shumë të lidhur juridikisht e politikisht me vendin.
Ndonëse përmend tri mënyrat e mundësisë së votimit nga diaspora, ai thotë se me ndryshimet e iniciuara, do të rritet përgjegjësia e besimit qytetar që do të jetë pashkëputshëm në sinkron me kredibilitetin institucional.
“Me konsensus përtej partiak, sapo e miratuam Projektligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës në leximin e parë ku janë paraparë ndryshime thelbësore në funksion të përmirësimit së përfaqësimit të sovranit. Po ashtu, bashkëkombasit tanë që jetojnë në diasporë do të jenë më shumë të lidhur juridikisht e politikisht me ne, duke ua mundësuar të votojnë në 3 mënyra: në ambasadën dhe konsullatën më të afërt në vendet ku jetojnë, dërgimi përmes postës në ambasadë apo konsullatë dhe përmes postës drejtpërdrejt në Kosovë, pa procedura burokratike siç ka qenë më parë”, ka shkruar ai.
