Komisioni për përzgjedhje të kandidatëve për anëtarë të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës sot ia ka propozoi kuvendit për emërim 5 kandidatë për anëtarë profesionalë të këtij bordi.
Sipas njoftimit, emrat e kandidatëve të propozuar janë Emanuel Bajra , Shpresim Vranovci, Mimoza Mustafa, Cyril Demaria-Bengochea dhe Trim Shala.
Pranë emrave të këtyre kandidatëve janë publikuar edhe pikët e tyre nga intervistimi, duke filluar me Emanuel Bajrën, me 26,7 nga 30 pikë maksimale, Shpresim Vranovci, 26,0, Mimoza Mustafa, 25,7, Cyril Demaria-Bengochea, 20,7 dhe Trim Shala me 20,3 pikë.
“Komisioni për përzgjedhje të kandidatëve për anëtarë të Bordit Drejtues të FKPK-së, i përbërë nga Guvernatori i përkohshëm i BQK-së, Bashkim Nurboja (kryesues), Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, sot ia propozoi Kuvendit për emërim 5 kandidatë për anëtarë profesionalë të Bordit Drejtues të FKPK-së”.
“Si për pozitën e anëtarit me përvojë në përfaqësimin ose këshillimin e punonjësve apo përfaqësuesve të tyre ashtu edhe për pozitën e anëtarit me përvojë në përfaqësimin ose këshillimin e punëdhënësve, nuk ka qenë e mundur të përzgjidhen së paku tre kandidatë që kishin dorëzuar dokumentet e kërkuara dhe përmbushur kërkesat e specifikuara në konkurs. Andaj, proceset përkatëse të përzgjedhjes do të duhet të rishpallen”, thuhet tutje në njoftim.
