Kuvendi i Kosovës e ka rrëzuar raportin vjetor për vitin 2020 të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronave, e cila ka për drejtor një figurë të shumë kontestuar prej ambasadave të huaja në Kosovë.
Me 51 votë për, me 58 vota kundër dhe 2 abstenime, Kuvendi nuk e miratoi financat e AKKVP-së.
Agjencia, e cila menaxhon me dokumentet kadastrale, drejtohet nga Naser Shala, një ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I njohur me nofkën “Ftyra”, Shala u zgjodh drejtor i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronave më 2019, pavarësisht prej kundërshtimeve të ashpra të Ambasadës së ShBA-ve në Prishtinë.
Për disa vjet tjera, “Ftyra” ishte zhdukur nga skena publike, derisa atë e propozoi Qeveria për drejtor të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.
Pas procesit gjyqësor të rastit “Kleçka”, emri i Naser Shalës ishte rikthyer në publik me aferën e përgjimeve “Pronto”, të puvlikuara nga Gazeta Insajderi më 2016.
Emri i “Ftyrës”, siç dëshmohet në përgjime, ishte përdorur nga Adem Grabovci për të frikësuar aso kohe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Grabovci, i ishte afruar Jakup Krasniqit tek foltorja e Kuvendit dhe i kishte thënë “e thirri, ‘Ftyrën’ vallahin, ta kanë lokën”. /Paparaci.com
