Qeveria e Kosovës bëri të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se “synimi ynë është siguria, e siguria fillon te kufijtë”.
“Për arsye të sigurisë, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet ndaj automjeteve që vijnë nga Serbia, sidomos ato transportuese”, u shpreh ai.
Siç raporton Evropa e Lirë, në Jarinjë dhe Merdare automjete me targa të Serbisë janë duke hyrë në Kosovë pa pengesë, me kontrolle të shtuara.
Në kufirin në Merdare, në anën e Serbisë po presin kamionë me targa të Serbisë dhe të Kosovës.
Nga ana e Kosovës, kalojnë automjetet e pasagjerëve, por nga ana e Serbisë në drejtim të Kosovës pothuajse nuk ka automjete me targa serbe.
“Masa tona nuk janë ekonomike apo tregtare, por janë masa të sigurisë”, deklaroi Kurti.

