Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, ka dhënë dorëheqje pas përfshirjes në një skandal seksual të premten.
Një video e publikuar të premten në rrjetet sociale e shfaq Gjicin duke kryer marrëdhënie seksuale me një grua brenda objektit të Bashkisë së Kukësit.
Derisa Prokuroria e Shqipërisë ka nisur hetimet për rastin, Gjici ka njoftuar dorëheqjen nga pozita e kryetarit të bashkisë.
Në një reagim të publikuar të premten, ai tha se “fatkeqësisht kam rënë pre e një kurthi”.
Ai shprehur keqardhjen e tij për ngjarjen dhe tha se prej disa kohësh ka qenë në marrëdhënie intime me gruan e cila është pjesë e video-incizimit.
“Ndjesë të thellë publike çdokujt që sot ka parë atë material të shëmtuar video. Pas një fushate dhe përballjeje jo të lehtë me kundërshtarët e mi, pas të cilës rezultova fitues, fatkeqësisht unë rash pre e një kurthi të përgatitur me detaje nga e njëjta dorë njerëzish me të cilët u përballa në zgjedhje. Ja arritën ta bëjnë në një formë tjetër të pistë atë që se bënë dot me votën e kuksianëve”, tha ai.
“Jam shumë i keqardhur për ngjarjen dhe jam mëse i qartë se në këtë situatë nuk ka vlerë asnjë lloj sqarimi. Prej disa kohësh unë kam një marrëdhënie intime me vajzën në fjalë por sigurisht nuk kam asnjë justifikim për atë çka ka ndodhur pavarërisht se i rënë në kurth. Nuk mund të jem më unë njeriu që punon në atë zyrë shteti pasi e kam tradhëtuar besimin e atyre mijëra njerëzve që besuan e punuan me mua për ta bërë Kukësin një qytet gjithnjë e më të mirë. Ndjesë të gjithëve dhe mirënjohje gjithë jeten kujtdo më besoi dhe mbështeti. Ishte nderi i jetës time që u njollos nga një mendjelehtësi e pafalshme ndaj sot ndjej detyrimin minimal të jap dorëheqjen! Zoti ju bekoftë të gjithëve”, tha Gjici.
