Gazetari Vehbi Kajtazi ka thënë se rasti ndaj Klan Kosovës, pasi ministria e Industrisë vendosi që t’ia pezullojë certifikatën e biznesit këtij mediumi, është dëshmi e qartë se Qeveria Kurti nuk i duron mediat.
Sipas tij, pushteti aktual nuk i dëshiron mediat, e veçanërisht ato që janë kritikuese, transmeton Paparaci.
“Rasti i Klanit është treguar apo dëshmi e qartë se pushteti s’i duron mediat. Një rast krejtësisht administrativ që lidhet me regjistrimin e biznesit në Maqedoni me u përdor si pretekst që me ia heq dikujt certifikatën e biznesit, këtë rast Klan Kosovës, e më pas ky rast me shku edhe në KPM për me shqyrtu heqjen e licencës është dëshmi e gjallë se pushteti s’i do mediat, veçanërisht mediat kritike. Për shkak se prej që është në pushtet, nuk ka arritur t’i fusë në kontroll siç i ka futur institucionet tjera, agjencitë e pavarura e gjithçka”, tha ai për Kiks Kosovën.
Sipas tij, njëra prej meritave kryesore që PDK-ja ka rënë nga pushteti dhe LVV-ja është rritur janë pikërisht mediat.
“Rastni Pronto, ky pushtet e ka përdorur në mënyrën më të mirë për t’ia rritur votat vetes. Për një muaj me rresht, kur e kam publikuar rastin Pronto, LVV-ja ka protestuar në shesh bashkë me shoqëritë civile. I ka përdorur ato incizime edhe në Kuvendin e Kosovë dhe gjithkund për ta goditur pushtetin e atëhershëm”, shtoi ai.
“Duke e ditur pushtetin dhe ndikimin, profesionalizmin e mediave dhe gazetarëve, pushteti përpiqet me i godit pikërisht mediat”.
