Besnik Berisha, avokati i familjes së viktimës M.H., të vrarë në nëntor të vitit 2019, ka thënë se pamjet e publikuara të ngjarjes nga familjarët e dy të dënuarve “janë të montuara” dhe “paraqitje e fakteve absolutisht të pasakta” me rastin.
Familjarët e Samet dhe Fisnik Ismajli, dy të dënuarve për vrasjen e kushëririt të tyre M.I., e kanë cilësuar skandaloz aktgjykimin e Gjykatës së Apelit që e la në fuqi dënimin me burgim ndaj të dënuarve, ndonëse ua zbuti dënimin me disa vite më pak burgim. Disa javë më parë, Gjykata e Apelit e vendosi që Samet dhe Fisnik Ismaili, si dhe kushëriri i tyre Besmir Ismajli, të vuajnë secili nga 21 vite burgim.
Sipas një reagimi të familjarëve të Samet dhe Fisnik Ismaili, asnjëri prej tyre nuk janë fajtorë për vrasjen e kushëririt të tyre. Ata publikuan një video të ngjarjes.
Por, sipas avokatit Besnik Berisha, pamjet e publikuara nga familja e të dënuarve janë të fabrikuara.
Berisha, në një deklarim për Paparacin, tha të martën se qëllimi i publikimit të pamjeve ndërlidhet me një përpjekje për të ndërhyrë në drejtësi.
“Pamje të montuara, paraqitja e fakteve absolutisht e pasaktë me atë që ka ndodhur, dhe mbi të gjitha qëllimi i publikimit është për të vënë në lajthim Gjykatën Supreme, si shkalla e fundit, ku mund të trajtohen pretendimet e ngritura nga familja e të akuzuarve dhe mbrojtësit e tyre”, tha Berisha.
Berisha tha se vendimi i gjykatës mbështetet edhe në prova të shumta, duke përmendur edhe rikonstruimin e vendit të ngjarjes.
“Pamje të montuara, paraqitja e fakteve absolutisht e pasaktë me atë që ka ndodhur, dhe mbi të gjitha qëllimi i publikimit është për të vënë në lajthim Gjykatën Supreme, si shkalla e fundit, ku mund të trajtohen pretendimet e ngritura nga familja e të akuzuarve dhe mbrojtësit e tyre. Është e pakontestueshme se vendimi i gjykatës mbështet në prova të shumta, në dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe po ashtu për ta vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë gjendjen faktike, gjykata e shkallës së parë kishte bërë edhe ri rikonstruimin e vendit të ngjarjes”, tha avokati Berisha.
“Me rastin e rikonstruimit, Gjykata iu ka dhënë mundësi të gjitha palëve për të parashtruar pyetje dhe sqaruar dilemat eventuale lidhur me pretendimet në aktakuzë. Të gjithë të akuzuarit kishin mundësi për ta sqaruar pozitën dhe rolin e tyre në krimin që i mori jetën një të pafajshmi me duarthatë”, tha Berisha.
Tutje avokati theksoi se manipulimi i opinionit me publikimin e pamjeve të montuara, po bëhet pikërisht pak ditë para se Supremja ta trajtojë rastin dhe të marrë një vendim.
“Për korrektësi të opinionit, pamjet e publikuara as nuk janë të plota, e as nuk janë të paprekura, por siç shihet edhe nga montimi me shigjeta, montazheri është kujdesur që të krijojë mjegull në diçka që është fare e qartë dhe që është vërtetuar në dy instanca të gjykatës. Është për keqardhje se manipulimi i opinionit me prova të montuara, synohet të bëhet pak ditë kur Gjykata Supreme do ta marrë në trajtim dhe do të vendosë lidhur me mjetet juridike që janë parashtruar nga të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre”, shtoi ai.
Berisha tha se janë të bindur se e vërteta është ajo që është gjykuar dhe se do të pranojnë çfarë vendimi.
Vrasja në Viti, familjarët e të dënuarve publikojnë videon e ngjarjes: “Gjykim skandaloz”
