Ivaylo Petev, trajneri i Ludogoretsit, ka pranuar se skuadra e Ballkanit ka zhvilluar një lojë më të mirë, por tekniku bullgar ka potencuar se ndeshja e kthimit do të jetë ndryshe nga ajo se çfarë pamë në “Fadil Vokrri”.
Ballkani mposhti mbrëmë kampionin e shumëfishtë bullgarë në ndeshjen e parë të vlefshme për kualifikimet në Ligën e Kampionëve. Kampioni i Kosovës shënoi fitore me rezultat 2:0.
Pas ndeshjes trajneri i Ludogoretsit ka pranuar se skuadra e tij ka zhvilluar një ndeshje jo të mirë, por ai shpreson se këto gabime nuk do të përsëriten në ndeshjen e kthimit.
“Duhet të zbuloj pse gjërat nuk funksionuan. Pas 10-15 minutash, diçka na prishi. Ballkani me të drejtë kaloi në epërsi dhe ata ishin më të mirë se ne. Patëm raste në pjesën e dytë, por një lojë e dobët. Futbolli është një lojë gabimesh”, ka thënë fillimisht Petev.
“Në pushim dhe me ndryshimet kam dashur ta mbaj topin gjithmonë. Megjithatë, duhet ta përgëzojmë Ballkanin. Skuadra po luan futboll të mirë. Këtë nuk duhet ta lejojmë në Razgrad.
Duhet të ndryshojmë shumë gjëra në ndeshjen e dytë dhe të shënojmë. Do të luftojmë me atë që kemi”, ka përfunduar trajneri i Ludogorets.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 19 korrik, në stadiumin “Huvepharma Arena”.
