Të fundit

Në vend që të deklarohet për Vullinin, Vuçiq flet për kokainën në Shtëpinë e Bardhë

Dje, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj drejtorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës të Serbisë (BIA), Aleksandar Vullin, për shkak të përfshirjes së tij në punët korruptive dhe krim të organizuar ndërkombëtar. Në një vend tjetër, le të themi në Luksemburg, ky do të ishte një skandal i madh. Në Serbi, kur është pyetur për këtë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka folur për kokainën e gjetur së fundmi në Shtëpinë e Bardhë, duke theksuar se “nuk e ka vënë re që e njëjta është gjetur te Vulini”, shkruan portali serb “Nova S”.

Por çfarë është konkretisht “afera e kokainës” për të cilën flet Vuçiq?

Kur bëhet fjalë për vendosjen e sanksioneve ndaj Aleksandar Vullinit, Vuçiq është përgjigjur se sanksionet ndaj drejtorit të BIA-s janë vendosur për shkak të qëndrimit të tij ndaj Rusisë, dhe jo për shkak të faktorëve që SHBA i kanë përmendur në shpjegim.

“Për Vullinin do të flas më në detaje nesër. Por nuk vërejta që kokaina u gjet në zyrën e Vullinit, por në Shtëpinë e Bardhë. Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të bëhen hetimet, sepse ky është një nen i përgjithshëm që ata përdorin për të shkruar diçka. Keni harruar të përmendni gjënë më të rëndësishme, që është Rusia. Sanksionet nuk u vendosën ndaj Vullinit për shkak të krimit, por për shkak të qëndrimit të tij ndaj Federatës Ruse. Por për pozitën e tij në detaje do të flas nesër”, ka thënë Vuçiq, transmeton Paparaci.

Kur bëhet fjalë për shpjegimin e SHBA, thuhet se Vullini është sanksionuar për pjesëmarrje në aktivitete korruptive, kryesisht në përhapjen e ndikimit malinj të Rusisë në Serbi.

Sipas raportit, Vullini është i përfshirë në krimin e organizuar ndërkombëtar, trafik droge dhe abuzim me funksionet publike.

Veprimet e tij, siç pretendohet, kanë avancuar korrupsionin në institucionet shtetërore në Serbi, dhe kjo nënkupton keqpërdorimin e pozitës zyrtare për interesa personale, e që përfshin edhe tregtinë me narkotikë. Por, në vend të kësaj, presidenti Vuçiq foli për narkotikët në Shtëpinë e Bardhë. Ja çfarë donte të thoshte.

Kokaina në Shtëpinë e Bardhë

Lënda e bardhë, për të cilën Shtëpia e Bardhë u evakuua pak kohë më parë, u zbulua se ishte kokainë.

Substanca u gjet gjatë një inspektimi rutinë, kanë thënë në Shërbimin Sekret Amerikan. Presidenti amerikan Joseph Biden dhe familja e tij ishin në rezidencën Camp David kur u gjet substanca.

Krahu Perëndimor i Shtëpisë së Bardhë, ku u gjet kokaina, është një hapësirë ​​e madhe me shumë nivele, ku gjenden zyrat e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, si dhe Zyra Ovale. Aty gjenden gjithashtu zyrat e zëvendës presidentit, shefit të kabinetit, sekretarit për media dhe qindra anëtarëve të tjerë të stafit kanë qasje në të.

Presidenti i SHBA, Joseph Biden është informuar për hetimet për zbulimin e kokainës në Shtëpinë e Bardhë dhe beson se është tepër e rëndësishme që agjencia të konstatojë se si arriti substanca atje.

Reuters ka raportuar, duke cituar një burim të paidentifikuar, se kokaina u gjet në një vrimë në zonën hyrëse të Krahut Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë, ku vizitorët lënë pajisje elektronike dhe sende të tjera përpara se të nisin vizitën.

Kjo shumë shpejt u bë e njohur për publikun botëror si “çështja e kokainës” në Shtëpinë e Bardhë dhe me të u lidh menjëherë djali i Presidentit të Amerikës – Hunter Biden.

I njohur për publikun si një njeri me një të kaluar “të shthurur”, Hunter Biden u gjend sërish në qendër të një skandali, por kësaj radhe një skandali që në media kryesisht theksohet nga anëtarët e Partisë Republikane.

Është simptomatike se në Amerikë tashmë është duke u zhvilluar një lloj fushate për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, në të cilën do të kandidojë pikërisht Biden-i.

Konkurrentët e tij, republikanët, do të përdorin tani Hunter Biden dhe kokainën e gjetur në Shtëpinë e Bardhë për të dobësuar kandidatin demokrat përpara zgjedhjeve që kërcënojnë të sjellin ndryshime të mëdha në Shtetet e Bashkuara./Paparaci.com

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci