Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar të dielën se Kosova ka blerë dronë Bayraktar nga Turqia.
Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se kanë shtuar 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin e ushtrisë.
“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia! Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë”, shkroi shefi i qeverisë.
Sipas tij, Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare. Megjithatë, aonuk ka bërë të ditur se sa dronë janë blerë dhe as buxhetin e ndarë për ta.
“Me Komandantin e FSK-së gjenerallejtnant Bashkim Jashari dhe Ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj përgëzuam oficerët që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve”, përfundoi Kurti.
