Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe të Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se Qeveria ka ndarë buxhet prej 1 milion euro për studimin e fizibilitetit për hekurudhën Prishtinë-Durrës, shkruan Paparaci.
Aliu tha se këtë projekt e ka prezantuar edhe gjatë takimeve në Bruksel, ku sipas tij Bashkimi Evropian ka gatishmëri të madhe për ta ndihmuar Kosovën në sektorin e transportit hekurudhor.
“Dokumenti i Memorandumit të mirëkuptimit në takimin e dy qeverive me që rast bashkë me ministren Belinda Balluku kemi nënshkruar këtë dokument. Pas vizitave që patëm në Itali e që lidhet drejtpërdrejt me portin e Durrësit dhe mundësitë që mund të sjellë kjo hekurudhë për vendin tonë morëm sinjale pozitive do të mund të them që ky projekt po e merr rrugën e vet dhe jemi në faza ku mund të fillojmë për hartimin e një plani të saktë dhe do të na jep edhe afate kohore dhe financiare që mund të përfundojë”, tha Aliu.
Tutje, ministri tha se kjo e bën Kosovën një vend të rëndësishëm për shpërndarjen e mallrave.
“Kemi ndarë buxhet për studimin e fizibilitetit të trasesë për hekurudhën dhe pas përcaktimit se ku lidhet në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë ne mund të kemi edhe detaje të tjera të këtij projekti. Detyrë e jona është të shtyjmë para hapjen e korridoreve të tjera që Kosova të bëhet pjesë evropiane”, ka thënë Aliu.
