Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov, një aleat i presidentit rus Vladimir Putin, forcat e të cilit shpesh luftonin përkrah njësive të Wagnerit në Ukrainë, shprehu vlerësim për trashëgiminë e Yevgeny Prigozhin pas rrëzimit të avionit që e vrau atë.
“Ne ishim miq për një kohë të gjatë. Shpesh na është dashur të zgjidhim çështjet më të ndërlikuara bashkë”, tha Kadyrov dhe e përshkroi Prigozhin si një person që ndryshon nga të tjerët për nga shpejtësia e reagimit, aftësitë unike të komunikimit dhe këmbëngulja.
“Ai ka qenë gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar dhe me të vërtetë ka ndihmuar nga zemra”, shton ai.
Kadyrov tha se Prigozhin është një ‘person i rëndësishëm në skenën kombëtare’, por së fundmi ai nuk e ka parë ose nuk ka dëshiruar ta shohë pamjen e plotë të asaj që po ndodh në vend.
“I thashë që të linte pas ambiciet e tij personale në favor të çështjeve të rëndësisë më të madhe kombëtare. Çdo gjë tjetër mund të trajtohej më vonë. Por pikërisht kështu ishte ai, me vendosmërinë dhe dëshirën për të marrë atë që e dëshiron menjëherë”, thekson Kadyrov dhe shton se nuk ka dyshim se Prigozhin ka dhënë një kontribut të madh në luftën në Ukrainë dhe se meritat nuk mund t’i hiqen.
“Vdekja e tij është një humbje e madhe për të gjithë vendin”, thotë Kadyrov.
Hetuesit rusë kanë nisur një hetim për atë që ka ndodhur, por nuk kanë konfirmuar zyrtarisht identitetin e 10 trupave të nxjerrë nga rrënojat.
