Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, deklaroi sot se janë të gatshëm që të mos marrim fare mëditje nga puna në Komisionin Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore, vetëm që ky Komision të themelohet.
Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovë, Tahiri tha po ashtu se duhet të hetohet mbledhja virtuale e Qeverisë Kurti, ku është vendosur për rezervat e shtetit.
Mes tjerash, ai ka pasur kritika ndaj koleges së tij nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se po shpenzohen më shumë para sesa mungesa e rezervës që nuk ka arritur.
“Të thuhet se nuk duhet të shpenzohen 20 mijë euro për 10 milionë, është paradoksale, është jologjike”, tha Tahiri.
“Është me rëndësi që të themelohet ky komision. Ne kemi pozicion politik dhe do të angazhohemi që vendi të shkojë në zgjedhje, por nuk heqim dorë nga mandati. Duhet të hidhet dritë mbi 10 milionë euro”, shtoi ai.
