Rupert Murdoch, ndikuesi i madh i medias globale amerikane, do të largohet në moshën 92-vjeçare nga perandoria e biznesit që filloi të zgjeronte në vendlindjen e tij Australi në moshën 21-vjeçare, u njoftua të enjten.
Në një shënim për stafin, raportuar për herë të parë në Wall Street Journal në pronësi të Murdoch, ai shkroi: “Për të gjithë jetën time profesionale, kam qenë i angazhuar çdo ditë me lajme dhe ide, dhe kjo nuk do të ndryshojë. Por është koha e duhur që unë të marr role të ndryshme”.
Kompania e Murdoch “News Corp”, me seli në New York, zotëron qindra media lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Në ShBA, kompania zotëron “Wall Street Journal” dhe “New York Post”, një tabloid me prirje konservatore. Gjithashtu edhe shtëpinë botuese të librit “HarperCollins”.
Në Mbretërinë e Bashkuar ai zotëron të përditshmet “The Sun” dhe “The Times” dhe zotëronte gazetën e skandaleve javore “News of the World”, që tashmë është shuar. Ai është i famshëm / famëkeq për shkatërrimin e sindikatave në vitet 1980 dhe ndikimin dhe marrëveshjet sekrete me kryeministren konservatore Margaret Thatcher.
Në Australi, “News Corp” zotëron “The Daily Telegraph”, “Herald Sun” dhe “The Australian”.
Në biznesin e televizionit, “News Corp” zotëron gjithashtu kanalin e krahut të djathtë të ShBA-së, “Fox News”, përmes “Fox Corporation”, dhe “Sky News Australia”. Murdoch ishte pronar i “Sky News” të Britanisë deri në vitin 2018 dhe i kompanisë së filmit e quajtur tani “21st Century Fox” deri në vitin 2019.
Forbes vlerëson se Rupert Murdoch gëzon një pasuri neto prej 21.7 miliardë dollarësh.
