Të fundit

Vdekja e arsyes: Pse të mos flasin edhe kinezët shqip?

Për të mënjanuar çdo keqkuptim, deklaroj që në hyrje dy të vërteta: E para, unë nuk jam as gjuhëtar, as historian. E dyta, unë e dua gjuhën time, shqipen, të cilën gjithnjë jam përpjekur e përpiqem ta flas e ta shkruaj drejt, saktë dhe bukur dhe, po kështu, jam shumë i interesuar ta njoh objektivisht historinë e vendit dhe të popullit tim.

Shkruan: Fatos Tarifa

Këto dy të vërteta që sapo deklarova më shtyjnë të shkruaj për një dukuri që, edhe pse jo masive, është bërë shqetësuese për shumë njerëz te ne. Jo vetëm në rrethet akademike, por edhe në radhët e shumë qytetarëve që kanë një sens realist në gjykimet e tyre, ose një common sense, nëse më lejoni të përdor një term që, i huazuar prej Aristotelit, përdoret sot gjerësisht në gjuhën e përditshme thuajse kudo.

Mbrëmë, një meme që qarkullon në rrjetet sociale, u bë shkak i një vargu shkëmbimesh online – disa serioze, disa humoristike – me miq e shokë. Çfarë thuhet në atë meme me dy fjalë, është kjo: Shqipëria është përsëri “kërthiza e botës”.

Nëse për Enver Hoxhën Shqipëria socialiste ishte vetëm një “fanar ndriçues” për të ardhmen e njerëzimit, për disa shqiptarë të sotëm vendi ynë është “origjina e gjithçkaje” mbi Tokë dhe gjuha shqipe “e para gjuhë që ka folur njerëzimi”!

Një milenium para erës së re, duke mos pasur as më të voglën ide mbi qytetërimet e tjerë në Perëndim, kinezët besonin se perandoria e tyre shtrihej në qendër të botës, e rrethuar nga popuj barbarë, ndaj edhe e quajtën atë “Perandoria e Qendrës” (Middle Kingdom).

Një milenium para kinezëve ishin egjiptianët ata që e quajtën perandorinë e tyre “Perandoria e Qendrës”. Pas tyre ishin grekët e lashtë ata që e bënë Evropën “qendër të botës”, edhe pse njihnin një pjesë shumë të vogël të këtij kontinenti – kryesisht bregdetin e verior dhe atë jugor të Mesdheut dhe disa territore në veri dhe në lindje të tij. Kur u zbulua Amerika, ky kontinent u quajt “Bota e Re”, ndërsa evropianët vazhduan ta quanin kontinentin e tyre “bota e vjetër”.

Të gjitha këto tashmë kanë rënë pasi disa shqiptarë, që shquhen për “patriotizëm” të flaktë dhe njohuri “të jashtëzakonshme” historike e gjuhësore (edhe pse, njëlloj si unë, nuk janë as historianë, as gjuhëtarë), kanë “zbuluar” dhe besojnë – pa pasur nevojë të provojnë gjë prej gjëje – se asgjë në këtë botë që popullohet nga tetë miliardë njerëz nuk bën kuptim dhe s’mund të shpjegohet pa ne, pa disa milionë shqiptarë dhe pa gjuhën shqipe.

Është krejt pa rëndësi të përmend emrat e atyre personave që janë autorë, mbrojtës apo përhapës të pikëpamjeve të tilla, ndaj edhe mjaftohem me ato çka ata besojnë dhe thonë. Dhe, çfarë ata thonë janë ide të tilla deluzive si:

“Në Romën e lashtë flitej shqip”; “gjermanishtja mund të kuptohet përmes shqipes”, në mos edhe ka rrjedhur prej saj; “në Francë është folur shqip”; “greqishtja është bijë e shqipes”; “shqipja është çelësi i të gjitha gjuhëve indo-evropiane”. Edhe Thoti, një prej perëndive në Egjiptin e lashtë dhe vetë egjiptianët kanë folur shqip. (Pse jo, a nuk flet shqip edhe nipi im Heru, që mban emrin e një prej perëndive kryesore të Egjiptit të lashtë).

Por, nuk janë vetëm këto. “Hebrenjtë e zanafillës flisnin shqip”; pellazgët po se po. Edhe “sumerët dhe aztekët e Meksikës flisnin shqip”. “Krishti vetë ishte shqiptar”; “shqiptar ishte edhe Zeusi”. Shqipja është folur që në fillimet e njerëzimit; ajo është “gjuha e parë”, “mëma e të gjitha gjuhëve”. Gjuha shqipe është “gjuha e natyrës” dhe vetë “natyra ka folur shqip qysh nga fillimi”.

Video nga Paradoks

VV SHOW-Pushteti nuk ka problem Vita-n, por pronarin -Historia e marrëdhënieve të Kurtit me Devollët

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci