Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të vizitojë Izraelin në një mision urgjent për të treguar mbështetjen e SHBA-së pas sulmeve të militantëve palestinezë të Hamasit ndaj Izraelit, bëri të ditur Departamenti amerikan i Shtetit.
Sipas DASH-it, Blinken do të vizitojë Izraelin në ditët në vijim për të dërguar një mesazh të solidaritetit dhe mbështetjes së SHBA-së për Izraelin.
Ai po ashtu do të flasë për “burimet shtesë që ne mund t’iu japim”, tha DASH-i.
Njoftimi erdhi teksa presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dënoi sulmet e grupit militant palestinez, Hamas, ndaj Izraelit, duke i cilësuar si sulme “të liga”, dhe tha se Uashingtoni është i gatshëm të dislokojë më shumë asete ushtarake në rajon.
