Të fundit

Elshani: Prej dhjetorit nuk do të ketë nëpër rrugë vetura me tabela KM

“Policia nuk mund të garantojë që pas afatit të riregjistrimit nuk do të ketë djegie të veturave, por mund të garantojmë që pas javës së parë të dhjetorit automjetet me targa KM, PR, PZ, GL, UR, PE dhe GJ nuk do të jenë më në rrugët në veri të Kosovës”, ka deklaruar për “Kim”, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

Gjatë bisedës me qytetarët në veri të Kosovës, ka vazhduar Elshani, pjesëtarët e policisë kanë konstatuar se pronarët e veturave janë të interesuar që të riregjistrojnë veturat me targa RKS.

“Kur i kemi marrë këto kërkesa, ua kemi përcjellë eprorëve tanë dhe më pas në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Kemi kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që kërkesën tonë t’ia përcjellë qeverisë, sepse e dinim që duhej ta merrte këtë vendim që njerëzit të kishin edhe një mundësi për të regjistruar veturat e tyre. Ministria e Punëve të Brendshme e miratoi kërkesën tonë dhe u mor vendimi i Qeverisë së Kosovës që nga 1 deri më 30 nëntor të ketë riregjistrime”, ka shtuar ai, transmeton Paparaci.

Që nga fillimi i procesit, më shumë se 2.800 vetura kanë kaluar nga targat KM në RKS.

“Deri të hënën në orën 16:00 janë riregjistruar 2.013 vetura, por ka pasur mbi 800 vetura të cilat në këto dhjetë vjet kanë kaluar në targa RKS. Ka ende kohë deri më 30 nëntor, ajo që është e rëndësishme të thuhet është se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Qendrat e Regjistrimit punojnë të shtunave dhe të dielave”, tha ai.

Elshani ka theksuar se pas datës 30 nëntor nuk do të ketë bllokadë të veriut, por veturat që ende kanë targa KM do të konsiderohen të paregjistruara.

“Pra, ne shohim veturat që kanë targa KM dhe për shembull ju keni 10 vetura me radhë, e ndaloni të parën, i merrni targat sepse ato veturë nuk duhet të jenë në qarkullim dhe e lini ta çojë atë veturë në shtëpi. Për mua është e rëndësishme që ato vetura të mos jenë në rrugë, nëse i gjejmë për herë të dytë, atëherë do ta konfiskojmë veturën”, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut.

“Për ne ato targa nuk vlejnë më, për mua do të thotë që nuk kanë regjistrim. Kur nuk kanë regjistrim, vetura duhet të jetë jashtë trafikut. Kur e ndalojmë herën e parë, i heqim targat dhe i shkruajmë një gjobë, mendoj se është 150 euro dhe ai shkon në shtëpi”, shpjegoi ai.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut shtoi se ndoshta nuk do të ketë afate shtesë për riregjistrim.

“Kemi marrë këtë afat dhe mjafton. Tani punojmë shtatë ditë në javë deri në orën 16:00. Mund, për shembull, nëse ka më shumë njerëz, të kërkojmë zgjatjen e orarit të punës deri në orën 18:00”.

Elshani tha se pas dhjetorit në rrugë nuk do të shihen veturat me targa me emërtimet e qyteteve KM, PR, PZ, GL, UR, PE dhe GJ.

“Ky është një shans, ju mund ta regjistroni veturën, nëse dëshironi. Nëse nuk doni, nuk është problem, por nuk do të jeni në rrugë”, shpjegoi ai.

Ai ka thënë se çfarëdo destabilizimi që ka ndodhur në veri të Kosovës nuk do të mund të ndodhte pa mbështetjen e Serbisë.

“Tani kemi një situatë ku qytetarët nuk kanë marrë asnjë udhëzim nga Serbia për riregjistrim. Ndoshta kjo i ka ndihmuar njerëzit të riregjistrojnë veturat e tyre, por kjo nuk është e rëndësishme për ne, por që qytetarët kanë edhe një afat”, tha Elshani./Paparaci.com

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci