Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se udhëzimet e Qeverisë për kursimin e energjisë elektrike kanë pasur efekt.
Sipas saj konsumi i madh i energjisë është zhvendosur nga mesi i ditës në mesnatë, raporton Paparaci.
Tutje ajo ka shtuar se dita e mërkurën ka qenë më e vështira e krizës energjetike gjatë këtij viti.
“Dita e sotme ka qenë dita më e vështirë në këtë krizë energjike deri më tani dhe shpresoj që do të mbetet dita më e keqe gjatë kësaj krize. Është një lajm i mirë që fushata e informimit me këshilla për furnizimin e energjisë ka filluar të ketë ndikim, kulmi i konsumi të energjisë dje është zhvendosur në orët e mbrëmjes as orës 23”, tha Rizvanolli në konferencën për media.
Ministrja Rizvanolli ka thënë se aktualisht prodhohet vetëm 400 megavat orë energji elektrike, nga rreth 1,200 e më shumë sa është kërkesa gjatë ditës.
“Aktualisht prodhojmë vetëm rreh 400 megavat orë nga 1,200 e më shumë sa kemi kërkesa gjatë ditës. Dita e sotme ka qenë dita më e vështirë në krizën energjetike deri tani. 105 megavat orë që i kemi të erës janë jashtë funksionit”, shtoi ajo./Paparaci.com
