Kryeministri i Republikës së Kosovës, gjatë një vizite që ka zhvilluar në KEK, ka thënë se njëri bllok i Kosova B është kthyer në punë, kurse tjetri bllok akoma jo.
“E kemi lajmin e mirë se njëri bllok i Kosova B është kthyer në punë por tjetri bllok akoma jo dhe duhet një investigim me pa shkakun e defektit që të riparohet. Kemi nevojë për një ekspert që do të vijë nga Alstomi gjerman që do ta bëjë këtë hulumtim dhe ta sanojmë edhe defektin në bllokun tjetër të Kosova B dhe të operojmë me kapacitetin e plotë”, tha Kurti para gazetarëve.
“Unë jam këtu me drejtorin e KEK-ut, Nagip Krasniqin dhe me ministrat Rizvanolli e Murati sepse pa energji s’ka ekonomi dhe pa ekonomi nuk ka financa e pa financa s’ka energji. Ne do ju qëndrojmë pranë ashtu siç ju po i qëndroni pranë popullit të Kosovës në këtë dimër të vështirë”.
“Pjesa e konsumit që s mbulohej prej neve vinte nga importi e çmimi në bursë është shtuar dhe po na duhet të blejmë rrymë me çmim të shtrenjtë. Ne jemi të interesuar që të kemi furnizim me rrymë dhe çmime të përballueshme për qytetarët. Sipas informacioneve që kemi as KEDS-i s’ka likuiditet si në të kaluarën unë nuk mendoj se në këtë krizë duhet të fillojmë të fajësojmë njëri-tjetrin por le ta kalojmë këtë krizë sepse furnizimi i qëndrueshëm është prioritet”, deklaroi shefi i Qeverisë.
