Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka thënë se është duke i trajtuar ankesat e qytetarëve në lidhje me mos-transmetimin nga operatorët e shpërndarjes të kanaleve televizive të kompanisë mediale nga Shqipëria, DigitAlb.
Në një njoftim për media, KPM-ja ka thënë se nuk ka marrë ende asnjë vendim për ndërprerjen e kanaleve të DigitAlb.
“Duhet sqaruar se KPM nuk mund ta obligojë një platformë të huaj që të sjellë programet e veta në Kosovë, për faktin se kanalet janë objekt i marrëveshjes në mes të operatorëve të shpërndarjes dhe dhënësit të të drejtave”, ka thënë KPM-ja, raporton Paparaci.
KPM-ja ka paralajmëruar trajtimin e ankesave dhe ndërmarrjen e masave eventuale ndaj operatorëve të shpërndarjes.
“Megjithatë, normativa ligjore e KPM-së parasheh një nivel të mbrojtjes se përdoruesve në rast të mos ofrimit të shërbimeve të parapara në kontratë”, thuhet në njoftimin e KPM-së. “KPM po trajton secilën ankesë veç e veç dhe për këtë mund të ndërmerren hapa ligjor, nëse operatoret e shpërndarjes kanë dështuar të veprojnë në pajtim me Rregulloren KPM-2020/01”.
Në fund të njoftimit, KPM-ja ka sqaruar qytetarët se vetëm DigitAlb dhe Arena Sport nga Serbia i kanë të drejtat e transmetimit në Kosovë të Premier League, kampionatit anglez të futbollit.
“Për më tepër, KPM duke u bazuar në paqartësitë e krijuara se fundi në lidhje me të drejtat sportive, ka kërkuar sqarime edhe nga Premier Liga angleze në lidhje me të drejtat e transmetimit në Kosovë, me ç’rast kjo e fundit ka konfirmuar se të drejtat e transmetimit për Kosovë i kanë DigitAlb në gjuhën shqipe dhe Arena Sport në gjuhën serbe”, ka deklaruar KPM-ja.
KPM ka thënë se e siguron opinion publik, me thekës të veçantë palët ankuese, “se do t’i trajtojë me kujdes të gjitha ankesat, ashtu siç përcaktohet me Rregulloren KPM-2020/01 dhe se palët do të njoftohen për veprimet e ndërmarra në lidhje me këto ankesa”.
