Qeveria e Kroacisë ka nisur procedurat për njohjen e ndërsjellë të patentë shoferëve mes Zagrebit dhe Prishtinës.
Kjo u bë e ditur nga zëvendëskryeministri kroat, njëherësh ministër i Brendshëm, Davor Bozhinoviq, i cili edhe prezantoi para kabinetit qeveritar në mbledhjen e djeshme propozimin e Vendimit për fillimin e procedurës për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet shteteve.
“Një marrëveshje e tillë tashmë është lidhur nga Republika e Kosovës me disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Bisedimet dhe negociatat për lidhjen e një marrëveshjeje ekuivalente me disa anëtarë të tjerë janë duke u zhvilluar”, tha ministri Bozhinoviq.
Aktualisht, në Kroaci, 590 shtetas të Kosovës kanë marrë qëndrim të përhershëm, dhe 8082 prej tyre kanë marrë qëndrim të përkohshëm.
“Projektmarrëveshja përcakton procedurën e njohjes dhe zëvendësimit, si dhe mënyrën e verifikimit të vlefshmërisë dhe autenticitetit të patentë shoferëve, dhe pas përfundimit të negociatave, Ministria e Punëve të Brendshme do të dorëzojë në Qeveri një raport për negociatat e zhvilluara dhe rezultatin e tyre, përfundoi ministri Bozhinoviq.
Qeveria e Republikës së Kroacisë, me propozim të MPB-së, ka miratuar Vendimin për fillimin e procedurës për lidhjen e marrëveshjes në fjalë.