Mallorca synon trofeun e dytë të Kupës së Mbretit pas më shumë se një dekade.
Nën udhëheqjen e sulmuesit kosovar Vedat Muriqi, Mallorca synon ta përsëri suksesin e arritur me sulmuesin Samuel Eto’o në vitin 2003.
Në finalen e madhe, Mallorca do të ketë punë me skuadrën që mban pozitën e dytë për më shumë trofe të Kupës së Mbretit, Ahletic Bilbao.
Bilbao është skuadra e dytë më e suksesshme në këtë garë, pasi e ka fituar 23 herë trofeun – derisa finalja e sontme do të jetë e 40-ta e tyre në histori.
Skuadra e drejtuar nga Ernesto Valverde vlerësohet favorite absolute për të ngritur sonte trofeun e 24-të të Kupës së Mbretit.
Skuadrat do të jenë thuajse të kompletuara. Te baskët në dyshim mbetet Yeray Alvarez, kurse te “Piratët” në dyshim është Martin Valjent.
Padyshim se tifozët e Mallorcas dhe jo vetëm, shpresojnë që sonte të jetë në natën e tij Vedat Muriqi, i cili si zakonisht pritet t’i prijë edhe sonte sulmit të Mallorcas.
Vedat Muriqi ditë më parë deklaroi: “Ne jemi duke u përgatitur. E njohim tashmë Athleticon, kemi luajtur dy herë kundër tyre, por një finale është një histori tjetër. Nuk është si në ligë. Pra, siç na tha trajneri: ‘Finalet nuk luhen, fitohen’. Ne do të dalim dhe do të fitojmë. E njohim rivalin, jemi të përgatitur mendërisht dhe fizikisht dhe shkojmë në ‘La Cartuja’ për të ngritur Kupën. Nuk e kisha imagjinuar kurrë që një ditë do të luaja në La Liga dhe as që do të luaja në një finale me fanellën e Mallorcas. Është diçka që nuk mund ta përshkruaj me fjalë, është diçka shumë e rëndësishme për mua. Nuk do ta harrojë kurrë”.
Finalja e madhe do të zhvillohet sot nga ora 22:00, në stadiumin “La Cartuja” në Sevilla.
