I pakompromis me opinionet e tij, Shkëlzen Gashi nuk ka ngrurruar të kritikojë shefin e qeverisë Albin Kurti, në kabinetin e së cilit punoi për rreth një muaj në mandatin e parë të qeverisjes së tij.
Publicisti, që shërbeu si këshilltar i kryeministrit Albin Kurti mes marsit dhe prillit, 2020, e komentoi me nota kritike një video-përmbledhje me të arriturat e qeverisjes së Kurtit, në mandatin e dytë të saj.
Sipas tij, po të ishte Kurti opozitë e qeverisë që ai e drejton, do të kishte shumë hapësirë për të kundërshtuar qeverisjen e vetvetes.
“Sa e pashë këtë ‘9 muaj qeveri në një video të përmbledhur”, thashë vetmevete, garant kur e ka pa kryeministri këtë video, ka thanë ‘s’jom n’opozitë se e kisha sosë qet qeveri’”, tha Gashi, në një koment në Facebook.
Shefi i qeverisë, i cili njihet për opozitarizëm të fortë me lloj-lloj mjetësh, po shënon 9 muaj në pushtet, me qeverisjen e tij të dytë, pasi të parën, në vitin 2020, ia rrëzoi partnerja e tij, LDK-ja.
Për t’i shënuar këta muaj, kryeministri ka mbledhur disa prej arritjeve që ai i konsideron se janë bërë në këtë cikël kohor.
Në mes të krizës energjetike, që ka nisur zinxhirin e krizave të tjera, Kurti ka përmendur si arritje të Qeverisë së tij sigurimin e vaksinave anti-Covid, mbështetjen për lehonat dhe shtesat për fëmijë të porsalindur.
Përmenden edhe aksionet e Policisë të kryera nën dyshimet për krim dhe kontrabandë, si dhe reciprociteti me ‘stickers’, me Serbinë dhe disa të tjera.
