Gazetari Vehbi Kajtazi i ka reaguar deputetit Dimal Basha pas fyerjeve të këtij të fundit ndaj mediave.
Kajtazi përmes një postimi të shkurtër në Facebook, ia ka përmendur ish-profesionet në të cilat ka dështuar tashmë deputeti Basha.
Sipas Kajtazit, Dimal Basha fillimisht kishte tentuar të zhvillonte karrierë në gazetari, e më pas edhe në kuzhinë, por kishte dështuar në të dyjat.
Krejt në fund, Basha kishte fat dhe u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ne fillim provoi te behej gazetar – deshtoi; Pastaj provoi te behej kuzhinier – deshtoi; Ne fund u be deputet. Ky eshte miku im, Dimal Basha”, thuhet në postimin e gazetarit Vehbi Kajtazi.
Deputeti i LVV-së Dimal Basha, sot nga foltorja e kuvendit ka fyer mediat, duke thënë se Qeveria Kurti ua ka ndalur ‘tagjinë’. Ai ka thënë se kritikat e mediave për Ligjin për Këshillin e Pavarur të Mediave nuk janë të drejta.
Sipas tij, ato po bëhen për interesa të ngushta.
“Kjo qeveri është e vetmja qeveri që ua ka ndalë komplet tagjinë dh asnjë cen nuk iu shkon më mediave. Kështu që, me dashtë me i kap kish vazhdu avazin e vjetër. Por ndryshimi tregon se ne nuk jemi të asaj rruge dhe nuk kemi synim me kap”, ka thënë Basha.
Ai e ka kritikuar edhe juristen e njohur të mediave Flutura Kusati. Sipas tij, ajo në emër të lirisë së medias po i mbron Devollët.
“Ka rendësi edhe kanihere kush fol. Përshembull e kemi Flutura Kusarin që del dhe do me ta diktu komplet Kuvendin e Kosovës qysh me bo ti një ligj për KPM-në, kur e njëjta në emër të lirisë së mediave del dhe i mbron Devollët në rrugë. Në emër të lirisë së mediave nuk mund me e mbrojt lirinë e oligarkëve , por as me e zhvat këtë Republikë”, ka thënë Basha.
Lidhur me deklarimet e tij sot gjatë seancës së kuvendit ka reaguar edhe AGK-ja.