Lëvizja Vetëvendosje në disa raste ka bërë një akuzë krejt specifike karshi Lidhjes Demokratike të Kosovës, që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.
Disa zyrtarë të VV-së kanë pretenduar se e kanë zbuluar një “sekret” të LDK-së. Më saktë, VV-ja, përmes zëdhënësit e një deputeti të saj, kanë akuzuar LDK-në për “fake profile”.
Disa ditë më parë, Mefail Bajqinovci, deputet i zëshëm i VV-së, shkroi një status, në të cilin bëri një pretendim dhe akuzë ndaj LDK-së, partis së dytë më të madhe opozitare. Në shkrimin e tij, Bajqinovci ka theksuar se LDK-ja përmes profileve të rreme është duke e sulmuar.
Bajqinovci ka shpërndarë edhe disa fotografi, si “dëshmi” për prentendimin e tij, duke e quajtur “ushtri e Facebook e LDK-së”.
“LDK-ja, përmes ushtrisë së profileve FAKE të Facebook-ut, po përpiqet të sulmojë dhe dezinformojë tërë kohën në faqen time në Facebook.
Është e qartë se përkrahja e qytetarëve i ka shqetësuar shumë, por këto përpjekje të tyre për të hapur faqe të rreme për progandë nuk po funksionojnë.
Këto janë profilet e ushtrisë së Facebook-ut të LDK-së dhe shkrimet e tyre në faqen time të Facebook-ut” – shkroi Bajqinovci.
I zëshëm në këtë temë ka qenë posaçërisht zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, i cili ka shkruar disa herë për çështjen e “profileve të rremë” të LDK-së. Në fakt, në një postim para 5 muajsh, Manxhuka kishte akuzuar edhe LDK-në, edhe PDK-në për profile të rreme në Facebook.
“Fake Opozita me Fake Profile
Meqë opozita nuk po mund të investojë në të vërtetën, po investon shumë në të pavërtetën. Ditë më parë ilustruam me foto e video profilet e rreme të LDK-së ndërkaq këto më poshtë janë të PDK-së. Gënjeshtrat që nuk mund t’ja thonë më popullit, duan t’ja thonë tash vetes me fake profile” – kishte shkruar ai.
Në një postim tjetër, Manxhuka ishte përkujdesur që për “profile të rreme” të targetonte edhe Abdixhikun.
“Fake status me fake profile
Deputeti Abdixhiku deklaronte se janë mbi 30 mijë llogari fake në rrjetet sociale.
Shikojeni postimin e tij të fundit dhe të tjerat më poshtë për t’u bindur se ku gjenden ato fake profile” – kishte shkruar ai.
