Në vitin 2011 në rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullsisë në Kosovë ishin 1 milion e 739 mijë e 825, ndërsa nga rezultatet e para në Kosovë nga procesi i regjistrimit të popullsisë në vitin 2024 rezulton që të jenë mbi 1.5 milion banorë.
Që i bie se ka rreth 153 mijë banorë më pak sesa në 2011.
Të dhënat e regjistrimit të popullsisë të publikuar të premten treguan se popullsia është ndjeshëm më e vogël sesa në vitin 2011 – ndonëse në këtë proces nuk morën pjesën banorët në katër komunat me shumicë serbe.
Rritjen më të madhe në numër të popullsisë e ka shënuar komuna e Fushë Kosovës, ndërsa në komunat e tjera ka pasur rënie të popullsisë.
Teksa në komunat e tjera, është vërejtur një përqindje e lartë e banesave dhe shtëpive të pabanuara, përqindja më e lartë është në Komunën e Dragashit, ku gati gjysma e shtëpive dhe banesave janë të pabanuara.
Sipas ASK-së përveç migrimit jashtë Kosovës, është vërejtur edhe migrim brenda vendit, që ka shkaktuar largim të banorëve nga zonat kufitare të Kosovës drejt qyteteve më në qendër.
Dallime janë vërejtur edhe në numrin mesatar të anëtarëve në ekonomi familjare.
Kurse ngjashëm si në Shqipëri, edhe në Kosovë është vërejtur një trend i plakjes së popullsisë.
Megjithatë, mosha mesatare në Kosovë tani 34.3 vjeç mbetet ende dukshëm më e ulët sesa në Shqipëri, ku është 42.5 vjeç.
Të dhëna për numrin e popullsisë u publikun edhe për katër komunat Veriore – të banuara me shumicë serbe, ndonëse të njëjtit e bojkotuan procesin.
Sipas të dhënave, në Mitrovicë të Veriut janë 2 mijë e 346 banorë, në Leposaviq 3 mijë e 207 banorë, në Zubin Potok 758 banorë dhe Zveçan 435 banorë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij vlerësoi se me të dhënat e sakta Kosova do të jetë më e sigurt dhe nuk do të humb rrugën.
“Përndryshe pa to do të përfundojmë duke bërë rrotullime e zig-zage dhe rrjedhimisht të humbim resurse të vlefshme”, tha ai.
Nxjerrja e të dhënave të sakta e të plota, sipas Kurtit, do të mundësojë të gjithë shfrytëzuesve dhe vendimmarrësve për orientimin e politikave dhe shërbimeve më të mira për qytetarët.
“Pa statistika cilësore edhe vendimet mund të jenë të pasakta e jo cilësore”, shtoi ai.
Kurti tha se realizimi i regjistrimit të popullsisë ishte një nga projektet më me prioritet të qeverisë gjatë këtij viti.
“Ky regjistrim është një reflektim i përkushtimit tonë për të kuptuar dhe adresuar nevojat e popullatës sonë, duke siguruar si shpërndarje të barabartë të burimeve, ashtu edhe për hedhje të bazave për vendimmarrje për të informuar që do të formësojë të ardhmen e Kosovës”.
Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas të dhënave të ASK-së duke thënë se ky është lajm i keq dhe shumë i dëmshëm.
“Pa u lëshuar këtu në saktësinë e shifrave të publikuara, është lajm i keq dhe shumë i dhembshëm që, duke u bazuar në publikimet zyrtare të ASK-së, po konfirmohet se vetëm në katër vitet e fundit, Kosova i ka humbur mbi 210 mijë banorë”, ka shkruar Krasniqi në platformën sociale, ‘Facebook’, të premten.
Krasniqi, duke u bazuar në të dhënat e ASK-së të vitit 2020, ka thënë se në Kosovë ka pasur 1 milionë e 798 mijë e 186 banorë rezident.
Ky lajm, sipas tij, i gëzon vetëm ata që nuk ia duan të mirën e Kosovës.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) kishte paralajmëruar se personat që vendosin të mos regjistrohen mund të përballen me gjoba të parashikuara me ligj nga 30 deri në 2 mijë euro.
Gjobat për biznesmenët kanë qenë edhe më të larta dhe shkojnë deri në 20 mijë euro.
Regjistruesit e kanë pasur për obligim të shkojnë në të njëjtën ekonomi familjare tre herë, në rast se në dy herët e para nuk arrijnë të takojnë qytetarin për t’i marrë informatat për regjistrim.
Gjatë vizitës regjistruesit kanë qenë të detyruar të lënë një njoftim se kanë ardhur dhe nuk kanë gjetur askënd.
Ligjet do të ekzekutohen nga gjykatat dhe Policia e Kosovës.
