Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka biseduar sot me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje Politike dhe Politikë të Sigurisë Boris Ruge për situatën në rajon, “sigurinë në Kosovë dhe implikimet e “veprimeve të njëanshme” të organeve të Kosovës”.
“Një takim i mirë me Boris Ruge për çështjet më të rëndësishme, situatën në rajon, sigurinë në Kosovë dhe Metohi dhe implikimet e mundshme të vazhdimit të lëvizjeve të njëanshme të regjimit Kurti”, ka shkruar Vuçiq në Instagram, transmeton Paparaci.
Sipas fjalëve të tij, gjatë takimit ai shprehu “shqetësim të madh për tendencën për të komplikuar situatën në Kosovë përkundër të gjitha përpjekjeve të Beogradit për t’i kthyer çështjet e hapura në kornizën e dialogut”.
“Po ashtu, theksova se rreziku i vazhdueshëm i përshkallëzimit të tensioneve, të cilin Prishtina e provokon rregullisht me vendime dhe sjellje të papërgjegjshme, ka ndikim të madh te “populli serb në Kosovë”, i cili jeton në një gjendje të frikës së vazhdueshme për jetën dhe pronën”, ka pretenduar ai në vazhdën e propagandës së tij aq transparente, të cilën po e zbaton rregullisht ndaj Kosovës.
Vuçiq e ka falënderuar Rugen për vëmendjen që i kushton kësaj çështjeje, pasi që ai vetë është njohës i mirë i situatës në Kosovë.
“Theksova se është e nevojshme të intensifikohen përpjekjet diplomatike dhe të koordinohen me forcat e KFOR-it në përputhje me Rezolutën 1244 dhe kompetencat që këto forca kanë si pjesë të mandatit të tyre, për të garantuar sigurinë e serbëve në Kosovë dhe Metohi, për ta kthyer Prishtinën në dialog dhe përmbush të gjitha obligimet, e para së gjithash formimin e Asociacionit”, ka pretenduar Vuçiqi.
Gjatë bisedës me Ruge, presidenti serb ka theksuar se Serbia “mbetet e përkushtuar ndaj neutralitetit ushtarak”.
Mirëpo Ruge ka theksuar qartë se “NATO pret që Serbia të ndihmojë në sigurimin e përgjegjësisë së plotë për aktet e dhunshme në maj dhe shtator 2023”./Paparaci.com

