Qeveria e Kosovës ka emëruar Genc Metajn, vëllain e deputetes Shqipe Metaj, drejtor ekzekutiv të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave.
Vendimi për emërimin e tij është marrë të hënën më 23 shtator në mbledhjen elektronike të qeverisë së Kosovës.
Genc Metaj ka arritur të bëhet drejtor pasi e kaloi konkursin, i cili u shoqërua me polemika dhe dyshime të shumta pas përfundimit të fazës së testimit me shkrim, në të cilin shumica e kandidatëve nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave nuk arritën të kalojnë testin.
Nga ky testim vetëm dy kandidatë kanë dalë të suksesshëm: Kastriot Lajçi nga AME-ja dhe Genc Metaj nga FSK-ja.
Gjithashtu në këtë konkurs ishin paraparë kriteret siç është njohja e gjuhës angleze në nivelin B2.
Mirëpo te verifikimi paraprak nga menaxheri i personalit të MPB-së, kandidatët, të cilët e kanë kaluar verifikimin paraprak nuk e kanë plotësuar këtë kriter specifik, do të thotë njohjen e gjuhës angleze në nivelin B2.
Tre kandidatë kishin paraqitur ankesa në KPMSHC, por Këshilli i kishte shpallur të pabaza të gjitha ankesat.
Ndërkaq, Metaj me rezultatet e shpallura në qershor, pra gati 3 muaj më herët, kishte kryesuar listën për t’u bërë drejtor në këtë Agjenci, të cilën më herët e kishte udhëhequr Fadil Kodra.
Metaj nga testi me gojë dhe me shkrim ka grumbulluar 88 pikë, për dallim nga 73.4 që ka marrë Kastriot Lajqi. Në total, për këtë pozitë kishin qenë gjashtë kandidatë.
Ministria e Brendshme në një përgjigje për Nacionalen, nuk ka dhënë sqarime nëse ka pasur ndikime për ta emëruar Metajn në këtë pozitë. Megjithatë, ata kanë treguar se procesi është vonuar si rezultat i ankesave.
“Ju njoftojmë se Ministria e Punëve të Brendshme ka zhvilluar procedurat e rekrutimit për pozitën Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave. Pas zhvillimit të procedures rekrutuese, është shpallur Njoftimi për renditjen përfundimtare të kandidatëve më datë 12.06.2024. Në renditje përfundimtare të kandidatëve janë dy (2) kandidatë: Genc Metaj dhe Kastriot Lajqi. Për shkak se deri më tani ka pasur ankesa nga kandidatët aplikues, ende nuk është emëruar Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave”, thuhet në përgjigje.
E deputetja, Shqipe Metaj-Isufi nuk ka kthyer përgjigje.
Në vitin 2016, Metaj ishte shpallur rreshteri më i mire në Akademinë prestigjioze të rreshter/majorëve në Amerikë.
Akademia e Rreshter Majorëve e Amerikës, e kishte vendosur (Foton-Biografinë) e Metajt në “Korridorin e Famës”.
“Korridori i Famës” për studentet ndërkombëtar është mirënjohje më e lartë për arritjet personale dhe për kontributin e dhënë në ngritjen, zhvillimin dhe avancimin e trupës së nënoficerëve.
Megjithatë, edhe në të kaluarën kur në pozita të larta emëroheshin njerëz të afërt me figurat e partive të tjera, Vetëvendosje nuk përtonte të drejtonte akuza, pavarësisht CV dhe të kaluarës së tyre profesionale. Sipas VV-së kur ishte në opozitë, emërimet e tilla ishin “kapje e shtetit”.
Pozitën e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave e kishte pasur Fadil Kodra. Fillimisht ky ishte shkarkuar nga kjo pozitë, për të cilën kishte raportuar Nacionale.
Vendimi ishte rrëzuar nga Këshilli Civil, ku si rezultat Ministria ishte detyruar ta kthente në punë Kodrën.
Më pas, Kodra kishte refuzuar t’i shërbente Qeverisë Kurti, në pozitën e drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Pejë.
Faton Fetahu, avokat i Fadil Kodrës, kishte treguar për gazetën Nacionale se klientin e tij nuk do ta pranonte këtë pozitë.
Ai kishte thenë se Kodra më nuk i beson kësaj qeveria dhe për këtë arsyeje ka vendosur ta ndërpres bashkëpunimin.
