Edon Zhegrova ka folur për herë të parë për incidentin e ndodhur në grumbullimin e fundit të kombëtares, në fillim të këtij muaji.
Sulmuesi ka thënë se Federata e Futbollit e Kosovës ishte ajo që e mori vendimin për përjashtimin e tij nga ekipi kombëtar e jo trajneri, pasi u konstatua se ai theu rregullat e grumbullimit.
Në një konferencë për media para ndeshjes së radhës kampionale me Lille në Ligue 1, i pyetur për incidentin e fundit të përjashtimit të tij nga kombëtarja, Zhegrova ka thënë se kishte arritur vonë në një takim të ekipit.
“Po, me të vërtetë, diçka e vogël ndodhi me kombëtaren. Arrita vonë në një takim dhe ajo që më zemëroi pak më shumë ishte se ishte federata ajo që e mori vendimin dhe jo trajneri, por e di që jam profesionist. Tani, është në të kaluarën, çështja është zgjidhur dhe ne ecim përpara”, ka deklaruar sulmuesi i Kosovës.
Ndryshe nga Zhegrova, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka thënë se selektori Franco Foda ishte vendimmarrës në rastin e përjashtimit të tre futbollistëve nga kampi i përfaqësueses në fillimin e këtij muaji.
Bashkë me Zhegrovën, edhe portieri Arijanet Muriq dhe mesfushori Florent Muslija u përjashtuan nga kombëtarja për shkelje të rregullores së grumbullimit.
