Të fundit

Animi i Kurtit për zgjedhjet amerikane dhe pasojat në diplomacinë kosovare

Kryeministri Albin Kurti më 16 tetor 2020, dy javë para se të mbaheshin zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte dalë publikisht me thirrje për shqiptarët që të votojnë për Joe Bidenin që po përballej me Donald Trumpin, atëherë president që po synonte mandatin e dytë.

Katër vjet më vonë, të paktën publikisht, Kurti nuk ka dalë me mbështetje për Kamala Harris, kandidaten e demokratëve në zgjedhjet që mbahen sot, ose për Donald Trumpin, ish-president.

“Thirrje për mbështetje të Joe Bidenit për president të SHBA-së”, qe thirrja e Kurtit më 16 tetor të vitit 2020.

“Që nga vitet e 90-ta, Joe Biden është një mbështetës i palëkundur i shqiptarëve në Ballkan. Ishtë ndër të parët që denoncoi fashizmin serb në epokën e Millosheviqit; që bëri thirrje për ndërhyrje amerikane në Bosnjë, dhe më pas në Kosovë, që kërkoi ndjekjen penale të kriminelëve serbë të luftës; dhe që mbështeti pavarësinë dhe njohjen e Republikës së Kosovës”, kishte thënë Kurti në një video të publikuar në Facebook.

Katër vjet më vonë, Kurti në fund të mandatit si kryeministër e gjen veten me marrëdhënie të ngrysura me SHBA-në për shkak të aksioneve dhe vendimeve të qeverisë në veri të Kosovës.

SHBA-ja vazhdimisht ka thënë se Kosova këto aksione i kreu pa koordinim.

Gjithashtu, katër vjet pas, në garë për president do të jetë përsëri Donald Trump që kësaj herë do të ketë përballë Kamala Harris, zëvendëspresidente në mandatin e Joe Bidenit, i cili nën presionin e madh nga demokratët, u tërhoq nga gara për mandatin e dytë.

Tërheqja e tij u bë për shkak të debatit të madh për moshën e tij (81-vjeçar) dhe debaklit që pësoi në debatin presidencial karshi rivalit Trump.

Në kohën e Trumpit, Kurti nuk i kishte fort punët mirë, kryesisht për shkak të përplasjeve me Richard Grenell, ish-përfaqësues special i SHBA-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Grenelli vazhdimisht ka pasur kritika ndaj Kurtit, sidomos pas vendimeve për heqjen e dinarit nga qarkullimi në komunat veriore të Kosovës.

Kurti hapur ka shprehur përkrahjen për Bidenin dhe kishte marrë pjesë edhe në Konventën e Demokratëve që është mbajtur gjatë muajit gusht.

Ndërkaq, në një intervistë për Zërin e Amerikës, Trumpin e kishte quajtur kandidat të pazakontë. Ai ishte pyetur nëse ishte i shqetësuar karshi qëndrimeve të Trumpit për NATO-n, duke e ditur marrëdhëniet që kishte me ish-administratën e Trumpit. Edhe në këtë intervistë, Kurti jo direkt kishte pranuar se përkrah Bidenin, duke thënë se kryetar i Vetëvendosjes dhe si kryeministër i Kosovës, mbetet demokrat.

“Padyshim që kemi një situatë në të cilën Partia Republikane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një kandidat të pazakonshëm, bëhet fjala pra për ish-Presidentin Donald Trump, i cili në raport me NATO-n ka patur si vërejtje të tij kryesore, që shtetet anëtare do të duhet që të arrijnë kuotën prej 2 për qind sa i përket shpenzimeve për mbrojtjen dhe sigurinë. Në këtë aspekt besoj që Kosova është në anën e ndritshme, për shkak se ne tashmë e kemi mbërritur kuotën prej 2 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, meqenëse i kemi dyfishuar shpenzimet për mbrojtjen, e kemi trefishuar shpenzimet për armatime, si dhe i kemi katërfishuar trajnimet jashtë vendit, për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ne, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shohim si partner dhe në preokupimin kryesor të ish-Presidentit Trump, Kosova edhe aty merr notë pozitive. Natyrisht kjo nuk e ndryshon faktin që unë si kryetar subjekti politik dhe si Kryeministër i Republikës së Kosovës, mbetem demokrat, mbetem socialdemokrat”, kishte thënë Kurti.

Neutraliteti

Shtetet që kanë mbajtur një qëndrim neutral, pavarësisht nga fituesi i zgjedhjeve në SHBA, kanë ruajtur marrëdhënie të qëndrueshme. Për shembull, Japonia dhe Koreja e Jugut janë ndër vendet që kanë shmangur përfshirjen e hapur në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe kanë përfituar nga vazhdimësia e marrëdhënieve strategjike me SHBA-në, pavarësisht ndryshimeve të administratës.

Rasti i Izraelit dhe zgjedhjet në SHBA

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është përmendur si shembull kur ka qenë i perceptuar se po favorizonte republikanët në SHBA. Gjatë presidencës së Barack Obamës, marrëdhëniet mes dy liderëve ishin të tensionuara, dhe disa lëvizje të Netanyahut, si fjalimi i tij në Kongresin amerikan në 2015 pa miratimin e Shtëpisë së Bardhë, u panë si përpjekje për të minuar politikat e Obamës, veçanërisht marrëveshjen bërthamore me Iranin. Kjo krijoi një ndarje në marrëdhëniet SHBA-Izrael, që për disa kohë dobësoi bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, shkruan Paparaci.

Marrëdhëniet me Rusinë dhe ndikimi në zgjedhje

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, raportet e inteligjencës amerikane zbuluan se Rusia kishte ndërhyrë për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve në favor të Donald Trump. Ndërhyrja u bë nëpërmjet fushatave të dezinformimit dhe sulmeve kibernetike. Kjo ndërhyrje u pa si një përpjekje e drejtpërdrejtë për të mbështetur një kandidat të caktuar dhe rezultoi në tensione serioze midis SHBA-së dhe Rusisë, që u përkeqësuan me sanksione dhe përplasje diplomatike.

Deklaratat e Angela Merkel për Trump

Gjatë presidencës së Donald Trump, kancelarja gjermane Angela Merkel pati marrëdhënie të tensionuara me të për shkak të ndryshimeve të mëdha në qasjen ndaj politikave globale dhe marrëdhënieve transatlantike. Edhe pse Merkel nuk bëri deklarata të hapura mbështetëse për rivalin e Trump, komentet e saj për rëndësinë e multilateralizmit dhe ndryshimet klimatike u panë si një kundërvënie ndaj politikave të Trump. Kjo reflektoi marrëdhënie më të ftohta midis SHBA-së dhe Gjermanisë gjatë administratës së Trump.

Reagimi i SHBA-së ndaj ndërhyrjeve të huaja

SHBA ka histori të ndjeshme ndaj çdo perceptimi të ndërhyrjes së jashtme në zgjedhjet e saj. Pavarësisht se një lider i huaj mund të ketë qëllime të mira, deklaratat e hapura të mbështetjes për një kandidat mund të perceptohen si ndërhyrje në çështjet e brendshme. Kjo mund të dëmtojë marrëdhëniet me administratën e re nëse zgjedhjet i fiton kandidati që nuk është mbështetur./Paparaci.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci