Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit B.D., i dyshuar për shitblerje të narkotikëve.
Prokuroria njofton se B.D., dyshohet se më 12 nëntor 2024, në shtëpinë e tij në Kaçanik ka poseduar substanca narkotike – marihuanë dhe kokainë me qëllim të shitjes dhe shpërndarjes.
“…në atë mënyrë që me rastin e kontrollit nga njësia e policisë të DHTN-së në Ferizaj , në dhomën e tij janë gjetur një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 257.5 gram, tri qese najloni me substancë të dyshuar narkotike e llojit kokainë me peshë të përgjithshme 1.4 gram, një qese najloni me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë 0.6 gram, substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë 2.1 gram, qese najloni të zbrazëta për paketim të substancave narkotike si dhe dy peshore digjitale ngjyrë hiri dhe një peshore digjitale ngjyrë e zezë, të cilat janë konfiskuar nga ana e policisë”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime, i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 267, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Bëhet e ditur se i pandehuri me urdhër të prokurorit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh.
